Është përkujtuar në Durrës 82-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian.

Në ceremon merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë, veteranë dhe qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe në 7 prill 1939 në Durrës u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi.

Sipas kryebashkiakes Sako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi ndër të tjera:

“Historia shenjohet përmes datash që nguliten në rrjedhë të kohërave për të mirë a për të keq. Ka data që në ndërrim të brezave ndryshojnë dhe vlerësim. Ka data që nuk ndryshojnë kahje kurrë. I tillë është 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Shqipërinë e për Europën: vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore.”

Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin fashist dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë.

Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.