Me rastin e 7 prillit, ditën e pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, por njëkohësisht dita e rezistencës heroike të patriotëve durrsakë, presidenti i republikës, Ilir Meta ka nderuar me tituj të lartë, disa figura të njohura në qytetin bregdetar.

Heroi Isak Metalia është nderuar me “Dekoratën e artë të shqiponjës”.

Ndërkohë, për kontributin madhor si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj u vlerësua edhe Xhevdet Ballanca, luftëtari aktiv antifashist dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, të zgjedhur nga Konferenca e Pezës

Me titull është nderuar edhe Doktori i Shkencave, historiani e shkrimtari i njohur Sali Hidri, i cili ka organizuar vit pas viti aktivitete të ndryshme në nderim të Dëshmorëve të rezistencës së 7 prillit.

Njoftimi i plotë:

Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.

Dëshmorët, që ranë në këtë ditë, ishin edhe frymëzuesit e Rezistencës së shkëlqyer të mëpasshme, që mobilizoi popullin deri në Çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944.

Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të lirisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, si shembull i patriotizmit e atdhedashurisë, pata sot nderin të vlerësoj Heroin Isak Metalia me “Dekoratën e artë të shqiponjës”.

E paharruar do të jetë deklarata e tij para se të jepte jetën: “Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë”.

Gjithashtu, për kontributin madhor si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj vlerësova sot edhe Xhevdet Ballancën, luftëtarin aktiv antifashist dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, të zgjedhur nga Konferenca e Pezës.

Me rastin e përkujtimit të 7 prillit 1939, pata kënaqësinë të vlerësoj edhe Doktorin e Shkencave, historianin e shkrimtarin e njohur Sali Hidri, i cili ka organizuar vit pas viti aktivitete të ndryshme në nderim të Dëshmorëve të rezistencës të kësaj date.

Çdo kohë dhe periudhë historike ka Heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur e do të rritë gjithmonë Heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi.

Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me patriotizëm dhe dashurinë për Atdheun.

Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën…

Posted by Ilir Meta on Wednesday, April 7, 2021