Ditën e sotme, në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës, me rastin e 3 vjetorit të themelimit të saj, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Grave, si dhe me zyrtarizimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit,  Aleanca e Këshilltareve Bashkiake i është drejtuar me një letër partive politike, medias, institucioneve monitoruese dhe elektoratit shqiptar, për të kërkuar respektimin e të drejtave të grave, nxitjen e aksioneve konkrete në mbrojtje të tyre dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës, nivelit ekonomik e social dhe përfaqësimit të vajzave e grave në nivel lokal e kombëtar.

Aleanca ka kërkuar gjithashtu mbështetjen financiare e promovimin e barabartë të kandidatëve, pavarësisht gjinisë. 55 Aleanca të Zgjeruara të Këshilltareve bashkiake në të gjithë vendin iu bashkuan kësaj nisme. 

Aleanca e Zgjeruar Kombëtare e Këshilltareve është një grup informal i Aleancave të Këshilltareve të Bashkive, në të cilat janë krijuar dhe funksionojnë duke nisur nga 8 marsi i vitit 2018. Ato vijnë së bashku nën këtë grupim, pavarësisht përkatësive politike, me synim përfaqësimin e promovimin e grave, zgjidhjen e problematikave të tyre, si dhe arritjen e barazisë gjinore në vend.