Urdhri i mjekut Durrës, përmes një postimi në rrjete sociale, ka uruar të gjitha mjeket e rajonit të Durrësit, të gjitha bluzat e bardha, që me përkushtim po luftojnë pa ndalur pandeminë Covid-19.

“Mirënjohje pafund për mjeket tona që janë dhe nëna, bija, bashkëshorte dhe kolege të mira. Mirënjohje pafund për mantelbardhat, që përtej gjithçkaje i dhanë jetë dhe shpresë pasigurisë për jetën, ankthit qytetar përmes shërbimit të palodhur deri në vetëmohim, duke krijuar bashkë me kolegët burra, barrierën e parë dhe më të fortë në këtë luftë të ashpër e të pazakontë me virusin dhe pasojat e tij”,– shkruhet ndër të tjera në postim.

Postimi i plotë:

Një grua, një nënë, një bashkëshorte, një vajzë. Një MJEKE fisnike.

Gëzuar!

Sot, në ditën ndërkombëtare të gruas, Urdhëri i Mjekut Durrës uron dhe përgëzon armatën e mjekeve të rajonit të Durrësit. Urojmë dhe vlerësojmë mjeket, aq fisnike dhe të përkushtuara, që pa u lodhur sfidojnë pandeminë dhe fitojnë çdo ditë betejat në luftën për jetën dhe shëndetin.

Mirënjohje pafund për mjeket tona që janë dhe nëna, bija, bashkëshorte dhe kolege të mira. Mirënjohje pafund për mantelbardhat, që përtej gjithçkaje i dhanë jetë dhe shpresë pasigurisë për jetën, ankthit qytetar përmes shërbimit të palodhur deri në vetëmohim, duke krijuar bashkë me kolegët burra, barrierën e parë dhe më të fortë në këtë luftë të ashpër e të pazakontë me virusin dhe pasojat e tij.

Beteja vazhdon, ashtu si vazhdojnë dhe përpjekjet e nisura ndër shekuj nga gratë për të arritur liri dhe të drejta të barabarta, në shoqëri me mundësi të barabarta.

Të jesh grua dhe mjeke je shumëfish e bekuar, po dhe e ngarkuar me përgjegjësi, e cila shkon përtej vetes, mbart betimin e shenjtë të Hipokratit dhe shpirtin e fortë luftarak për jetën e tjetrit.

Qofshi përherë në lartësinë e misionit tuaj, plot shëndet e vitalitet në shërbim të jetës, pacientit dhe shëndetit publik!