Lirimi i befasishëm nga detyra i drejtorit ekzekutiv të portit të Durrësit Artjan Qirici u shoqërua menjëherë me emrin e pasuesit të tij në këtë post.

Siç bëri të ditur më herët DurrësLajm, Qirici u zëvendësua nga ish-drejtori i AKU-së Afrim Bakaj. Deri në janar të 2016, Bakaj mbante postin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por u detyrua të jepte dorëheqjen pas marrëveshjes politike PS-PDIU.

Kryeministri Rama ra dakort me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi që kjo drejtori në shkallë vendi t’i kalonte partisë së çamëve dhe Bakaj u detyrua të largohej vetë nga posti.

Po kush është Afrim Bakaj?

Socialistët e Durrësit e njohin si një nga figurat e njohura të kësaj partie në qytetin bregdetar dhe një nga miqtë e afërt të kryebashkiakut Vangjush Dako.

Para detyrës së drejtorit të AKU-së, Bakaj ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën e bashkisë së Durrësit pasi ka qenë drejtor i parkut të autobusëve dhe kryetar i policisë ndërtimore të bashkisë së qytetit bregdetar.

Madje lidhja e ngushtë Dako-Bakaj mund të jetë një nga arsyet kryesore të emërimit të tij në postin e drejtorit ekzekutiv të portit.

Në të njëjtën kohë, Bakaj, nga viti 2016, është votuar si delegat për qarkun e Durrësit në kongresin e PS-së.

Gjithsesi lidhjet e tij me PS-në janë të hershme. Bakaj i është bashkuar edhe grevës së urisë që zhvilloi PS në vitin 2010, kur kërkoi transparencën e procesit zgjedhor, që sipas socialistëve ishte manipuluar nga maxhoranca qeverisëse.

Siç duket qartë në këtë foto, Bakaj është një nga grevistët e urisë, ndërsa shfaqet në krah të kryeministrit aktual Edi Rama (në atë kohë lideri i opozitës) së bashku me grevistë të tjerë.

Në janar të vitit 2016, Afrim Bakaj la detyrën e kreut të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke u bërë “kurbani” i radhës i marrëveshjeve politike për zgjerimin e koalicionit mazhoritar qeverisës.

Sot ai e sheh veten drejtor i portit më të madh në vend dhe ndoshta emërimi i tij bëri “kurban” Artjan Qiricin.