Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për një 38-vjeçare me iniciale O.D., e cila dyshohet se përmes mashtrimit i ka marrë një qytetari me iniciale I.H. shumën prej 900 mijë Eurosh.

Por kush është 38-vjeçarja që akuzohet për një mashtrim të përmasave të mëdha? Mësohet se ajo është Olesia Duka nga Tirana, me profesion stomatologe dhe pedagoge.

Më herët, “DurrësLajm” raportoi se 38-vjeçares dhe familjarëve të saj i janë vënë nën sekuestro preventive pesë pasuri të paluajtshme me një vlerë mbi 300 mijë euro.

Mësohet se Olesia Duka dhe familja e saj zotëron disa klinika dentare në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

DurrësLajm” i hodhi një vëzhgim profilit të saj në rrjetin social “Facebook”, ku 38-vjeçarja shfaqet në aktivitete të ndryshme, madje e ftuar edhe në studio televizive, si te Rudina Magjistari.

Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme 38-vjeçarja me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra, duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H. që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.

Njoftimi i Prokurorisë së Durrësit:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 shkurt 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, te parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases O.D. banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H.

Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale O.D. (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra  duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H.që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.

Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona  të tjerë. 

Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest ne burg për shtetasen O.D. e datëlindjes 26.09.1980,  me banim në Tiranë.

Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autorit dhe familjareve të tij me një vlerë mbi treqind mijë Euro. 

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autorit të veprës penale.

S.L.