29/06/2020 - 21:21
95.6 milionë lekë të reja do të investohen për rikonstruksionin e aksit rrugor “4 rrugët Shijak – Nishtulla Durrës" dhe degëzimin e rrugës në ish-stacionin zooteknik në Xhafzotaj”. Investimi i qeverisë shqiptare do të realizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ndërsa firma që do të zbatojë projektin është kompania “Alb-Star” shpk.
Punimet do të fillojnë në muajin korrik, ndërsa në muajin gusht pritet të përfundojë investimi që do të realizohet në këto dy akse me gjatësi totale 6 km.
Aksi "4 rrugët - Nishtulla", që lidh bashkinë e Durrësit me atë të Shijakut, është një rrugë ku janë të përqendruara me qindra subjekte private, biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha. Prej vitesh kjo rrugë ishte kthyer në gangrenë për drejtuesit e automjeteve, pasi amortizimi i saj i bënte pjesë të caktuar të këtij aksi thuajse të pakalueshme.
Ndër vite, banorët dhe subjektet private kanë organizuar protesta të vazhdueshme, pasi kërkonin rikonstruksionin e këtij aksi nga qeveria dhe pushteti vendor, por kërkesat e tyre binin gjithnjë në vesh të shurdhët.
Pas një pritjeje goxha të gjatë, duket se më në fund është hapur drita jeshile për rikonstruksionin e rrugës në fjalë, ku përfitues janë qytetarët e bashkisë së Shijakut dhe të Durrësit (3.7 km rrugë i përkasin Shijakut, 1.2 km i përkasin Durrësit).
Pak ditë më parë, kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana dha përmes një postimi në rrjete sociale lajmin e mirë se aksi në fjalë do të rikonstruktohej.
“Të hënën nisin punimet në këtë aks rrugor. Një rrugë e amortizuar prej kohësh, e cila do të rehabilitohet me asfaltim dhe sinjalistikë të re. Kjo patjetër që përbën një lehtësim për të gjithë banorët në lëvizjet e tyre të përditshme.” – shkruante Arbana në datë 27 qershor.
Ndërkohë, paraditen e kësaj të hëne në rrugë janë shfaqur mjetet e rënda të kompanisë, që do të realizojë rikonstruksionin e këtij aksi. Kryebashkiaku Elton Arbana shoqërohej nga dy deputetët e Shijakut, Jurgis Çyrbja dhe Ilir Ndraxhi.
Megjithëse është një rrugë me gjatësi vetëm 4.9 km, gropat e mëdha të krijuara në asfalt dhe cedimet përgjatë gjithë gjatësisë së saj i detyronin drejtuesit e mjeteve të harxhonin shumë më tepër kohë për ta përshkuar atë, ndërsa amortizimi i makinës rëndonte edhe më shumë xhepat e qytetarëve.
M.B.
/portali DurresLajm/

