Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha.

Hoxha ishte pjesë e grupit të ish-zyrtarëve të arrestuar në lidhje me abuzimet me tenderat.

Javën që kaloi, Prokuroria e Tiranës ngriti akuza dhe lëshoi urdhër-arreste për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, drejtorin Aurel Lamçe dhe specialistët e IT-së, Arlind Alikaj dhe Lysien Ali. Gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për tre zyrtarët, ndërkohë që Ali është shpallur në kërkim.

Tetë nënpunës të tjerë, pjesë e grupeve të punës apo komisioneve të vlerësimit të ofertave janë gjithashtu në hetim.

Në dy vite, 2016-2017, prokuroria ka zbuluar abuzime dhe shkelje me 5 tendera duke shkaktuar një dëm të llogaritur në miliona euro.

5 tenderat ne hetim – Nga organi i akuzës mësohet se hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

1.Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

2. Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale

3.Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

4.Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

5.Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.