Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, thotë se nga konferenca e donatorëve që do të mbahet nesër në Bruksel, qeveria shqiptare pret që të mblidhen 300 deri 350 milionë euro. Në një intervistë dhënë për Tv Klan, ministri thotë se nëse shifra do të jetë më e ulët kjo do të sillte shumë vështirësi për zbatimin në kohë të planeve të qeverisë.

“Nëse ne angazhojmë nesër diçka midis 300 milionë deri në 350 milionë euro, nëse nuk ka bërë ndonjë magji kryeministri le të themi me turin e vet, pra natyrshëm do të shkonte tek 300-350 milionë eurove, ku raporti midis granteve dhe kredive do të ishte diçka tek 70-80 milionë euro vijnë grante dhe pjesa tjetër vijnë kredi të buta që janë të domosdoshme për rindërtimin. Nëse do të ishte një shifër poshtë 300-350 milionë euro e kombinuar grant kredi atëherë do të gjendeshim përballë një vështirësie serioze financiare për të përballuar në kohën që ne duam gjithë pasojat e tërmetit. Ndryshe skenari pastaj do të ishte shumë afatgjatë”, tha Ahmetaj.

Nga axhenda e bërë publike nga Komisioni Europian parashikohet që konferenca të nisë me nënshkrimin e fondit prej 15 milionë Eurosh që Komisioni ka vendosur në dispozicion të Shqipërisë për të përballuar kostot e tërmetit të 26 Nëntorit.

Ndër të tjera, dy ditë më parë, ministri i Jashtëm Stef Blok konfirmoi se Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për rindërtimin. Gjatë konferencës për Ballkanin Perëndimor në Mynih, kryeministri Edi Rama u takua me kryeministrat e Kanadasë dhe Kuvajtit si dhe ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite.

Edhe ata shprehën gatishmërinë për t’u bërë pjesë e konferencës së donatorëve për rindërtimin nga tërmeti që mbahet më 17 shkurt në Bruksel. /tvklan