Ujësjellës Kanalizime Durrës në kuadër të fushatës së verifikimit të gjendjes së abonentëve ka kryer kontrollin e bizneseve që shtrihen përgjatë autostradës Durrës-Tranë. Një grup i verifikimit të ujësjellësit verifikon të gjitha lidhjet që furnizojnë me ujë të pijshëm bizneset e llojeve të ndryshme, ndërkohë që pronarët e këtyre bizneseve firmosin në një formular vetëdeklarimi nëse kanë ose jo lidhje të paligjshme.

Përgjegjësi i repartit të Shijakut Ivo Doçi, shprehet se me anë të këtij aksioni synohet që të ndërgjegjësohen ata abonentë që kanë probleme dhe deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm të kenë mundësi për të rregulluar gjendjen e tyre për sa i përket ligjshmërisë së furnizimit me ujë të pijshëm.

Përfaqësues të ujësjellësit iu kanë bërë thirrje të gjithë abonenteve që kanë probleme në lidhje me kontratat e ujit apo mungesën e matësve që të paraqiten pranë zyrave të marrëdhënieve me klientin për të bërë kërkesë për hapjen e kontratës dhe vendosjen e matësve. Pas 1 shkurtit të vitit të ardhshëm, kush kapet pa kontratë apo matës uji, do të gjobitet.