Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar vëmendjen në marketet e zonave rurale duke bërë të mundur ndalimin e tregtimit të ushqimeve jashtë kritereve të sigurisë ushqimore.

Gjatë kontrolleve të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së janë evidentuar 3 subjekte në Lushnje, Gramsh dhe Kukës të cilët kryenin veprimtari në kundërshtim të plotë me ligjin e sigurisë ushqimore.

Për sa më sipër, ndaj subjekteve është marrë masë administrative gjobë si dhe konfiskim e asgjësim të produkteve ushqimore si: (8 litra qumësht, 1032 copë çokollata, 9 copë biskota, 20 copë patetina, 833 litra birrë, 95 litra lëngje, 10 kg suxhuk).

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, siguron se është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

AKU njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.

Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, apo çdo shkelje të dyshuar të stadardeve të Sigurisë Ushqimore, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.