Për shkak të motit të keq dhe me erë që ka përfshirë qytetin e Durrësit këtë të shtunë është pezulluar lundrimi në det.

Era është e fuqishme dhe shkon deri ne 20 m/s ndërsa lartësia e dallgës deri në 8 ballë në det të hapur.

Pamjet filmike të marra nga operatori i DurrësLajm dëshmojnë forcën e dallgëve që përplasen përgjatë shëtitores "Taulantia". 

Një mot të tillë e paralajmëroi edhe Drejtoria Detare, e cila njoftoi për det të trazuar në 3 ditët e para të muajit shkurt.

Njoftimi i Drejtorisë Detare: 

Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton lundërtarët, pronarët e mjeteve detare, operatorët në portet e Shqipërisë dhe në hapësirën detare, që ditën e premte, të shtunë dhe të diel, në datat 1, 2 dhe 3 shkurt 2019, bregdeti ynë do të përfshihet nga erëra me drejtim nga jugu në juglindje dhe forca e detit 7, shkalla Boufort, në det të hapur.

Drejtoria Detare iu bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë që të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rrisin shkallën e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete.