Koronavirusi ka marrë shtrirje të gjerë në të Durrësin, ndryshe nga vala e parë kur kishte vatra të përcaktuara dhe hetimi epidemiologjik në terren kryhej më lehtësisht. Duhet marrë seriozisht për sa kohë nuk ka ende një vaksinë, është ky apeli i Zija Alhysës, kreut të Sindikatës së Shëndetësisë në Durrës.

Në një komunikim me mediat këtë të mërkurë, Alhysa tha se ka një përqindje të lartë të numrit të testimeve që dalin pozitivë.

Në spital 50 % e atyre që testohen, ka raste edhe 90 %, dalin pozitivë. Ne nuk kemi pasur në Durrës viktima që nuk kanë qenë pa sëmundje bashkëshoqëruese. Mosha të reja me sëmundje bashkëshoqëruese për fat nuk ka pasur”, shprehet Alhysa.

Në 24 orët e fundit, në Durrës janë regjistruar 26 raste të reja me Covid-19. Ndërkohë, për herë të parë që nga nisja e pandemisë qarku i Durrësit ka arritur shifrën rekord të mbi 800 personave aktivë me Covid-19, ndërsa virusi është përhapur thuajse në të gjitha institucionet shtetëore, kompani private etj.

Sipas raportimit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë përditësuar më 27 tetor, qarku i Durrësit numëron aktualisht 809 persona aktivë me koronavirus. Prej shumë javësh, qarku ynë renditet i dyti pas Tiranës që regjistron shifrën rekord prej 4302 personash aktivë me Covid-19.