Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, dhe e ngarkuara me punë e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones zhvilluan sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur, Olsian Çela.

Në një postim në Twitter, Soreca thotë se gjatë takimit diskutuan përparësitë kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë hetimet financiare proaktive, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit, si dhe për fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK.

Për Sorecën, zgjedhja e Z. Çela përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Edhe e ngarkuara me punë e SHBA-ve, Leyla Moses-One përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela duke vlerësuar asistencën e deritanishme të partnerëve ndërkombëtar shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe misionet ndërkombëtare gjatë mandatit të tij 7-vjeçar.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm Çela e vlerësoi kontributin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian si thelbësor në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

Ky ishte takimi i parë me dy përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë në vend pas marrjes së detyrës nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.