Më datën 20 korrik 2017, një grup anëtarësh të Shoqatës Rinore të Atlantikut nga Kosova {KYATA, Kosovo Youth Atlantic Treaty Association, Shoqata e Paktit Atlantik të Rinisë së Kosovës}, zhvilluan një vizitë në Komandën e Forcës Detare. Në pritjen e miqve nga Kosova morën pjesë Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani dhe kuadro të shtabit të Forcës Detare. Mbasi i uroi mirëseardhjen, Gjeneral Dogjani i njohu shkurtimisht vizitorët nga Kosova me misionin e Forcës Detare, përpjekjet për reformimin dhe transformimin e kësaj force sipas standarteve të aleancës, operacionet e kryera në hapësirën tonë detare dhe pjesëmarrja në operacionin “Sea Guardian”. Zoti Dogjani i uroi suksese anëtarëve të shoqatës atlantike të Kosovës në misionin e tyre për promovimin e vlerave të NATO-s në shoqërinë kosovare, që ndikon pozitivisht dhe në synimin e shtetit të Kosovës për anëtarësimin në këtë aleancë.

Në vijim Kapiten i Rangut të III-të, Blerim Hoxha, i shpjegoi gjerësisht përfaqsuesve të KYATA, disa tregues kryesorë të Forcave Detare që lidhen me dislokimin dhe organizmin e kësaj Force, misionin, {pse një forcë dy misione?}, strukturat përbërëse, mjetet në përdorim, vendbazimet, personelin, infrastrukturën dhe planet e modernizimit. Gjithashtu kapiten Hoxha i njohu pjesmarrësit e këtij takimi me Sistemin e Vëzhgimit të Hapësirës Detare, QNOD dhe institucionet e saj përbërës, bashkëpunimi rajonal, operacionet në kuadër të NATO-s, etj. Anëtarët e KYATA, ndoqën me vëmendje cështjet e trajtuara për Forcën tona Detare dhe bënë pyetje të ndryshme që lidhen me monitorimin e hapësirës sonë detare.  Në fund të takimit ata falenderuan Komandantin e Forcës Detare për pritjen e bërë dhe shfaqën dëshirën për të bashkëpunuar në të ardhmen me aktivitete të tjera të përbashkëta.

Në ditët e qëndrimit në Shqipëri përfaqësuesit e KYATA, zhvilluan takime dhe seminare në Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjes dhe institucione të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes. I kontaktuar nga ana jonë, zoti Besim Salihu, Kryetar i Shoqatës KYATA, na njohu shkurtimisht me veprimtarinë e kësaj shoqate në Kosovë dhe më gjerë. E themeluar që në vitin 2010, Shoqata e Paktit Atlantik të të Rinjve të Kosovës, ka për qëllim kryesor të promovojë vlerat Euroatlantike të Aleancës së NATO-s, jo vetëm te rinia, por te gjithë shoqëria kosovare. Këtij qëllimi i kanë shërbyer rreth 17 aktivitete të ndryshme të organizuara nga kjo shoqatë gjatë këtyre viteve, si seminare, konferenca, tubime, etj. ku janë trajtuar tema për sigurinë, rrugët dhe mënyrat e integrimit euroatlantik dhe NATO, për diplomacinë, funksionimin e shtetit ligjor, mardhëniet civilo-ushtarake në një shtet demokratik, lufta kundër terrorizmit, mardhëniet ndërkombëtare, etj.

Këto tema janë trajtuar dhe në aktivitetet e zhvilluara në vendin tonë, që përbën dhe edicionin e 7-të të aktiviteteve të KYATA. Duhet theksuar se anëtarësia e kësaj shoqate përfshin jo vetëm të rinj nga Kosova, por dhe nga Shqipëria, SHBA, Maqedonia, Kroacia, Spanja, Anglia, Suedia, Holanda, Franca, Mali i Zi, etj. Shoqata funksionon mbi baza vullnetare dhe gëzon mbështetjen e opinionit dhe mjaft institucioneve në Kosovë. Le t’i urojmë suksese në udhëtimin e nisur Shoqatës së të Rinjve Atlantikas në Kosovë!

Nga Shefqet Kërcelli