Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati me anë të një postimi në “Twitter” ka bërë me dije se Shqipëria do të marrë 20 nga refugjatët e bllokuar në Catania.

Bushati në reagimin e tij shkruan se Shqipëria nuk mund të zëvendësojë Europën, por është gjithmonë në ndihmë të saj.

“Ne nuk mund ta zëvendësojmë Evropën, por ne jemi gjithmonë këtu, në anën tjetër të detit ku dikur ne po vuanim ditë e natë në det, duke pritur që Evropa të zgjohet! Dje, Italia na shpëtoi, sot ne jemi gati për t’i dhënë një dorë”.

bushati

Anija me 150 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut prej disa ditësh është e bllokuar në portin e Catania-s. Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre.

Zv.kryeministri italian kërcënoi se do të pezullonte kontributin financiar të vendit të tij drejt BE-së, nëse Brukseli nuk do të ndërhynte dhe të shpërndante 150 personat në bordin e anijes së Rojeve Bregdetare, “Ubaldo Diciotti”.