Punonjësit e transportit dhe ata të hotelerisë kanë më pak ditë pushimi gjatë vitit se punonjësit e tjerë me pagesë.

Një anketë e posaçme e INSTAT ka gjetur se për vitin 2018, punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë kanë deklaruar se bëjnë më shumë ditë pushimi se aktivitetet e tjera ekonomike, pa llogaritur të shtunat dhe të dielat.

Një arsimtar ka 39 ditë pushimi në vit, një punonjës në sektorin e shëndetësisë 26 ditë, në të kundërt një punonjës që punon në sektorin e transportit ka vetëm19 ditë pushim në vit dhe po kaq, një punonjës në hotel.

Sektori i tregtisë me pakicë dhe aktivitetet shkencore profesionale kanë më pak ditë pushimi.  Kryesisht këto aktivitete dominohen nga të vetëpunësuarit të cilët janë të prirur të mos bëjnë pushime.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, pushimet më të gjata, rreth 30 ditë në vit, vihen re tek ndërmarrjet me mbi 500 të punësuar.

Anketa e INSTAT ka gjetur se në shumicën e aktiviteteve ekonomike nuk respektohet Kodi i Punës për ditët e pushimit.

Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim.  Kodi i Punës përcakton se punëdhënësi, duke mbajtur parasysh dëshirën e punëmarrësit, përcakton datën e fillimit të pushimeve vjetore të paguara.

Data e fillimit të pushimeve vjetore me Kodin e Punës i njoftohet punëmarrësit të paktën 30 ditë përpara. Pushimet vjetore duhet të jepen gjatë vitit të punës, ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës, por asnjëherë nuk duhet të jenë më pak se një javë kalendarike pa ndërprerje. Gjithashtu Kodi përcakton se, pushimet vjetore nuk zëvendësohen me pagesë, me përjashtim të rasteve kur marrëdhënia e punës ka përfunduar dhe punëmarrësi nuk i ka kryer pushimet që i takojnë. Në këtë rast, ai ka të drejtë për një shpërblim të barabartë me pagën e këtyre pushimeve

Përveç katër javëve në vit që konsiderohen pushim, janë edhe 14 ditë të tjera, festa zyrtare.

Nëse Kodi i Punës do të respektohej me përpikëri, atëherë çdo punonjës me pagë duhet të ketë së paku 44 ditë pushimi mesatarisht në vit. /Monitor