Jahti superluksoz Al Mirqab është ankoruar mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit.

Jahti në fjalë, një nga më të mëdhenjtë e ndërtuar ndonjëherë, i përket ish-kryeministrit të Katarit dhe Ministrit të Jashtëm Hamad bin Jassim bin Jaber Al Thani.

Mjeti lundrues do të qëndrojë gjatë ditës së sotme në Durrës vetëm për të bërë furnizimin me karburant, ujë dhe ushqime, ndërkohë që personat në bordin e tij nuk kanë të drejtë të zbarkojnë, pasi janë ende në fuqi masat kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë Covid-19.

Jahti është ndërtuar në një kantier gjerman në vitin 2008. Jahti super luksoz ka një gjatësi prej 133 metrash dhe një rreze prej 18 metrash. Ai është e ndërtuar prej çeliku dhe mund të lundrojë me një shpejtësi maksimale 20.3 nyje detare.

Në jaht mund të akomodohen 24 të ftuar në 10 suita, ndërsa dy suita VIP janë për pronarin e jahtit. Suitat janë të mëdha; secila me banjën e vet, dhomën e ndenjes dhe dhomën e gjumit të dyfishtë. Jahti ka një ekuipazh prej 55 vetash.

Disa nga lehtësitë në bord janë: një kinema, bare të jashtme, pishinë e brendshme dhe xhakuzi si dhe një pistë për uljen e helikopterit.