Zyra antikorrupsion e kryeministrit prej dy ditësh ka zbarkuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës.

Ankesat e shumta të qytetarëve në portalin antikorrupsion.al, ka bërë që disa prej punonjësve të zbarkojnë në këtë zyrë, e po marrin në shqyrtim të gjitha praktikat e kryera nga qytetarët.

Në objekt të kontrollit janë afatet e kthimit të përgjigjeve për qytetarët, dhe të praktikave të përfunduara. Punonjësit antikorrupsion po verifikojnë duke fotografuar çdo praktikë të regjistruar nga punonjësit dhe kryerjen e procedurave sipas afatit ligjor.

Mësohet se qytetarë të shumtë janë ankuar online në këtë zyrë për procedura të papërfundura në kohë apo që zvarriten tej afateve ligjore të tyre. Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Durrës, ka një fluks shumë të madh pune pasi një numër i madh qytetarësh në rang qarku, kërkojnë shërbim.

Si rezultat i burokracive dhe zvarritjeve të herëpashershme të kthimit të përgjigjeve për banorët, ka patur mjaft ankesa.