Gjykata e Apelit lë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja.

Përmes avokatit të tij, djali i deputetit kishte paraqitur kërkesën në Apel për lirimin e tij nga paraburgimi. Vetë Rexhep Rraja zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë dhe njoftoi përmes një letre mospjesëmarrjen.

"Për arsye personale nuk dëshiroj të marr pjesë në seancë".

Argumentet e avokatit Ilir Murati, ishin se nuk ka vepër penale për përndjekje apo dhunë ndaj Xhisiela Malokut, siç pretendon Prokuroria. 

"Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Krujës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm.Kemi një histori rozë që nuk ka të bëjë me veprën penale të përndjekjes. Dëmtimet e shkaktuar te shtetasja Xhisela Maloku nuk përcaktojnë kohën kur është bërë", ka deklaruar avokati.

Avokati Murati përdori si argument në seancë edhe deklaratat e fundit të vajzës.

"Xhisiela Maloku del përditë në televizione dhe thotë se nuk është përndjekur. Çështja është politizuar dhe ju jeni në presion".

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i relatores së çështjes, gjyqtares Shpresa Beçaj, e cila është shprehur: "Nuk ju lejoj të thoni se jemi në presion, nuk kemi asnjë presion.Trupi gjykues është i pandikuar nga askush dhe do të shqyrtojë aktet e dosjes".

Kërkesa e Rrajës për liri në Apel ishte dorëzuar më 8 tetor, ndërsa hetimet për këtë dosje janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.