Argëtimi i të gjithë pushuesve në orët e vona të mbrëmjes pas një dite në plazh, është një prej kërkesave të rëndësishme që kanë të gjithë pushuesit që i janë drejtuar bregdetit në këto ditë të nxehta korriku.

Policia ka marrë telefonata anonime nga qytetarë të ndryshmë, të cilët raportojnë për zhurmë akustike të lartë, dhe rend menjëherë te lokalet që ofrojnë argëtim, duke u kërkuar ta ulin volumin e muzikës apo edhe ta ndërpresin në shumicën e rasteve, edhe pse brenda afatit kohor.

Operatorët turistikë që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë vijës bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës e deri te Mali i Robit, thonë se po sulmohen pa të drejtë nga policia, e cila kërkon që të ulet apo ndërpritet muzika edhe pse brenda afatit të përcaktuar. Sipas operatorëve, këto veprime të kundërligjshme të policisë së shtetit po e dëmtojnë turizmin, i cili gjendet në pikun e aktivitetit.

Ilir Zhilla, pronar resorti, kërkon të respektohet orari i përcaktuar për zhurmën akustike nga autoritetet, pasi policia po kërkon të ndërpresë muzikën përpara afatit të përcaktuar, sepse e kërkojnë qytetarët anonim me denoncimet e tyre.

Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe operatorët e tjerë që organizojnë aktivitete muzikore në resortet e tyre. Arjol Haxhillari, administrator resorti në Malin e Robit, kërkon që autoritetet të respektojnë oraret dhe të mos kërkojnë ndërprerjen e muzikës para afatit të caktuar.

K.H.