DURRËS- Policia e qytetit të Durrësit ka prangosur një nga autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë të një banori të lagjes Nr.14. Në orët  e mëngjesit të së shtunës blutë e Durrësit kanë arrestuar 35 vjeçarin Gentian Muça, banues ne Rrashbull.

Shtetasi në fjalë, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, rreth orës 18.00 të ditës së premte, i ka vjedhur me dhunë në afërsi të banesës së tij 45-vjecarit  K.L. xhupin në të cilin kishte shumën prej 4900 euro, të marra kredi në një nga degët e bankave të qytetit.

Muça kishte lidhje shoqërore me të dëmtuarin dhe ishte në dijeni të shumës që K.L. kishte tërhequr nga banka. Në të njëjtën kohë ai e dinte me saktësi itinerarin që do të përshkonte miku i tij, e kjo e ka ndihmuar të realizonte grabitjen në fjalë

I dëmtuari ka marrë dëmtime të shumta në kokë e trup si pasojë e dhunës së ushtruar nga grabitësit, të cilët e kanë goditur me mjete të forta. Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Durrësit.