Arrestohet në Durrës Elvis Gaçaj 44 vjeç, një person me rrezikshmëri të lartë. Gjatë kontrollit atij iu gjet edhe një armë pa leje. Gaçaj është një emër i njohur për drejtësinë për një sërë veprash penale. 

Në prill të këtij viti ai u arrestua së bashku me Leonard Dukën në Tiranë, ndërsa armën e hodhën nga ballkoni i banesës sapo konstatuan policinë.

Elvis Gaçaj, në 2015-n ka qenë objektiv i një atentati te "Lulishte 1 Maji" në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike. Në atentatin tek Lulishte "1 Maji"  u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura.

Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.