Një 16-vjeçar, i cili mbeti i plagosur një natë më parë nga një aksident i ndodhur në Sukth, ka ndërruar jetë në spital disa orë pas përplasjes. Policia njofton se në lidhje me këtë ngjarje është vënë në pranga Gj. B., 54 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Tashmë materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Siç njoftoi më herët “DurrësLajm”, viktima e aksidentit të mbrëmshëm është djali 16-vjeçar i kreu të NJA Sukth, Rrapo Osmani.

“Në vijim të informacionit të mbrëmshëm për aksidentin e ndodhur rreth orës 18:00, në Sukth, ju informojmë se ka ndërruar jetë pas disa orësh në spital shtetasi F. O., 16 vjeç.

Në vijim të veprimeve nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi Gj. B., 54 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.