Burime nga Policia bëjnë me dije se drejtuesi i motorit që u përplas një ditë më parë në hyrje të qytetit të Durrësit ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital, ndërsa gruaja e tij fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Policia njofton gjithashtu se ka arrestuar drejtuesen e mjetit tip “Audi”  që përplasi motorin ku po udhëtonin çifti i bashkëshortëve.

“Më datë 06.12.2017, u arrestua në flagrancë shtetasja M.S, vjeç 40, banuese në Durrës, pasi në rrugën Ura e Dajlanit–Stacioni i  Trenit, duke drejtuar me leje drejtimi mjetin tip “Audi”, është përplasur me çiklomotorin tip “Piaggio””, thuhet në njoftimin e bluve.

Për pasojë janë aksidentuar drejtuesi i çiklomotorit S.K. e pasagjerja L.K., vjeç 54 e 47, banues në Durrës, të cilët ndodhen në spital, S.K. në gjendje të rëndë për jetën dhe L.K jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti i rëndë u regjistrua dje rreth orës 15:30, ku “DurrësLajm” i pranishëm në vendngjarje solli këto pamje menjëherë pas përplasjes. Gruaja e aksidentuar ndodhej e traumatizuar dhe e mbuluar nga gjaku, mdërkohë që bashkëshorti i saj ishte marrë me urgjencë për t’u dërguar në spitalin rajonal.