Teksa studentët vijojnë të ngujuar në disa fakultete në Tiranë, gjatë 24 orëve të fundit kanë pasur konfrontim me forcat e policisë.

Por duket se kjo situatë nuk do të ndalet me kaq. Pedagogu Artan Fuga paralajmëron se edhe ata mund të nisin një grevë.

“Policia të mos hyjë dhunshëm në mjediset universitare sepse do të na detyrojë të bëjmë grevë të përgjithshme pedagogësh, jo më studentësh për punë tarifash! Durimi ka një kufi!

T'i lemë ato gjoja mbështetjet te paçavuret letër gjoja ftesë për shtetrrethim në korridore universiteti.

Rektoratet e dekanatet nuk kanë punë t'u bëjnë thirrje studentëve të lenë protestën, ta bëjnë pas pune, dhe t'i kthehen mësimeve!

Studentët e dinë vetë se deri ku dhe si protestojnë! Protestat e tyre frymëzohen nga kërkesa dhe shqetësime shumë të drejta!”,shkruan ai.

Por Fuga ka një thirrje edhe për studentët që protestojnë

“Studentët protestues të mos dhunojnë studentët e tjerë dhe pedagogët që mendojnë të bëjnë mësim! As madje të mos i pengojnë sepse tejkalojnë të drejtën e tyre sublime dhe dëmtojnë kauzën e tyre!

A ka mundësi të dilet nga qerthulli i dhunës latente dhe nga kurthi i saj në universitete? Unë mendoj se po! Unë kam parimin se studentët kanë gjithmonë të drejtë!

Por, kur një grup studentësh mendon ndryshe nga një grup studentësh? Unë përsëri them se të dy grupet e studentëve kanë të drejtë!

Kjo është filozofia dhe teknika e negociimit! E vështirë për një mendje të ngurtë mekanike!”,thekson ai.