Artizanët dhe zanatçinjtë në Durrës të shtypur midis tërmetit dhe COVID-19

02/06/2020 - 19:56

Nga Gezim Kabashi

Kujtim Uruçi punon si këpucar në një dyqan të vogël që ka marrë me qira në një nga rrugicat pranë amfiteatrit të Durrësit.

Siç ndodh me durrsakët në përgjithësi, Timi – siç e thërrasin në lagje, nuk ankohet për problemet që krijoi izolimi nga COVID-19. “Filluam punë, bereqaves, kjo ka rëndësi,” thotë ai, çka mund të përkthehet “fitoj sa për vete”.

Por raftet e sistemuara me këpucë të riparuara dëshmojnë të kundërtën. Klientët nuk vijnë ti marrin, pasi nuk kanë lekë për të paguar.

“Këto rrijnë në rafte prej disa muajsh,” thotë ai, ndërsa tregon një palë këpucë që shpreson t’i dalë përsëri pronari.

Një raft tjetër është i mbushur me këpucë burrash dhe grash të riparuara shumë kohë më parë, të cilave Kujtimi u ka vënë shënimin “Këpucët shiten”.

“Nuk kam ç’bëj,” thotë këpucari. “Pas riparimit, klientët kanë hequr dorë prej tyre dhe unë duhet ti shes, sikur të isha shitës te tezgat,” shpjegoi ai.

Kujtimi është një nga zanatçinjtë e vegjël, që u janë rikthyer punëve të përditshme mes shumë vështirësive. Ai numëron më shumë se 10 këpucarë të tjerë në qendër të Durrësit, e që ndodhen në të njëjtën situatë. Vetëm njëri prej tyre bën këpucë të reja, ndërsa të gjithë të tjerët, nuk bëjnë tjetër veçse riparojnë këpucët e përdorura.

E ardhmja e biznesit të vogël në Durrës është vënë përballë dy provave të rënda e të njëpasnjëshme: tërmetit dhe koronavirusit, ndërsa vendimet për të ardhmen ata po i marrin pa ndihmën dhe këshillat e askujt.

Marjeta Hasku me familjen ka ardhur nga Gramshi dhe është vendosur në periferi të qytetit bregdetar. Dyqani i vogël pranë qendrës, ku ajo punon si rrobaqepëse ndodhet në një kryqëzim mjaft të populluar.

Megjithëse ka vetëm disa muaj aty, gruaja e re ndjehet shumë mirë mes banorëve dhe klientëve të rinj.

“Do të më vijë shumë keq, nëse do ta mbyll dyqanin,” thotë Marjeta për BIRN. Unë riparoj kryesisht rroba grash, por në këto dy javë që kam rifilluar kam patur vetëm gjysmën e punës së zakonshme,” shton ajo.

Marjeta e ka marrë ambientin e vogël me qira vetëm 2-3 javë para tërmetit të 26 nëntorit, i cili veç shkatërrimeve, krijoi një pasiguri të madhe mes familjeve durrsake.

Ndërsa më pas, izolimi nga COVID-19 i mbylli për më shumë se dy muaj dyert e bizneseve.

Rrobaqepësja thotë se deri tani nuk ka patur kontrolle nga tatimorët, por gjatë ditëve në vazhdim ajo duhet të vendosë nëse do të shpenzojë për licencën e ushtrimit të profesionit, apo do ta ulë përfundimisht qepenin dhe bashkë me të edhe ëndrrën për të patur një biznes të sajin.

Në krye të rrugicës së “Kuminit” i ka rihapur dyert e biznesit të tij edhe Mirjan Çela, i cili që prej 20 vjetësh përgatit korniza për tablotë me piktura të madhësive të ndryshme.

Pas tërmetit të 26 nëntorit ai është larguar nga kati i pare i pallatit ku punoi për dy dekada radhazi.

“Shpenzova jo pak për sistemimin e dyqanit të ri, disa dhjetëra metra më larg,” tha për BIRN profesionisti i kornizave, duke shtuar se sapo e kishte rifilluar punën kur ia behu pandemia.

Biseda ndërpritet pasi një grua e moshuar vjen të tërheqë tablonë, ku shihet portreti i një vajze qëndisur me rruaza shumëngjyrëshe. “E kam punuar këto dy muaj në shtëpi dhe do t’ia dërgoj mbesës në Itali,” shpjegoi ajo duke më lejuar t'i bëj foto, por pa emrin e gjyshes punëtore.

Mirjani thotë se në javët e fundit janë të rrallë ata që hyjnë tani në dyqanin e tij.

“Tablotë dhe kornizat që unë përgatis konsiderohen punë qejfi dhe do të kalojë kohë që në sektorin ku punoj të rikthehet normaliteti,” shprehet i trishtuar mesoburri.

Ai shton se tashmë njerëzit janë të kujdesshëm me shpenzimet, “pasi askush nuk na ka siguruar për ecurinë e infektimeve në të ardhmen”.

“Shteti duhet të kujdeset për spitalet dhe për shkollat,” thotë ai, duke më treguar të jatin e moshuar që ndodhet pas banakut, e duke më kujtuar edhe fëmijët në moshë shkollore.

Në një qoshe të rrugës “Taulantia” është rikthyer në vendin e tij të zakonshëm piktori Jonuz Selimi.

“Unë jam skulptor,” saktësoi Selimi, duke më treguar edhe fotot e disa veprave të gdhendura në gur edhe pse prej më shumë se 10 vitesh qëndron i ulur mes lapsave dhe skicave.

Jonuzi më 1 qershor, kishte 70-vjetorin e lindjes, por që nga ora 11.00 kishte zënë vend në hijen e një palme, duke pritur të kalojë ndokush që do të qëndrojë si model për një portret me laps ose me tush nga dora e tij.

“Që prej dy javësh kam punuar vetëm dy portrete, por jam paguar vetëm për njërin,” tha Jonuzi, i cili tregon pa u lodhur edhe histori të përditshme, edhe pse çdo ditë vjen në këmbë për një orë e gjysmë nga shtëpia në periferi deri në bregun e detit.

Skicën e dytë falas ia bëra njërit prej djemve refugjatë nga Siria, të cilët kalojnë çdo ditë para meje.

“Kjo ishte një mënyrë për ta ndihmuar, pasi unë nuk kam para,” tha Selimi.  “Do ta ketë kujtim prej meje portretin që ia bëra me laps,” përfundoi ai.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Beton, mungesë gjelbërimi, derdhje e ujërave të zeza në det dhe papastërti përgjatë bregut të detit.

Është rihapur procesi i aplikimit për qytetarët e Durrësit, banesat e të cilëve janë të dëmtuar nga tërmeti, por që në muajin shkurt e pa

Gazetari i njohur sportiv Bujar Qesja ka shkruar një status prekës për ndarjen nga jeta të inxhinierit durrsak Ilir Hoxha, i cili humbi b

Të mërkurën, qeveria shqiptare miratoi shumën prej rreth 2.1 miliardë lekë që do të shkojë për grantet e rikonstruksionit të banesave me

Ka nisur dhënia e granteve për rikonstruksionin dhe riparimin e banesave individuale në Bashkinë Durrës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nën

Mungesa e ndriçimit publik në rrugët e qytetit të Durrësit është kthyer në nxitës të ngacmimeve seksuale dhe grabitjeve.

4 viktima dhe 93 raste të reja. Ky është bilanci i 24 orëve të fundit nga COVID-19 në Shqipëri.

  • Interpol Tirana, Interpol Roma dhe Interpol Parisi finalizuan dy operacione ekstradimi. Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar

Moti gjatë ditës së shtunë, 11 korrik, parashikohet të jetë i kthjellët në pjesën e parë të ditës, ndërkohë që në pjesën e dytë të saj, d