Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë në Elbasan për të prezantuar Forcën e re të Posaçme “Shqiponjat” në këtë qytet.

Lleshaj ka përmendur edhe ngjarjen e rëndë që ndodhi në Tiranë ku Preng Gjinit iu bë atentat më eksploziv në makinë dhe u dëmtuan edhe dy kalimtarë.

Ministri ka thënë se ngjarja ishte një goditje e shëmtuar dhe u ka bërë thirrje strukturave të policisë dhe prokurorisë që të punojnë për të zbardhur ngjarjen.

“Nuk mund të rri pa përmendur një ngjarje të rëndë që u ballafaquam dje në Tiranë, një sulm, një goditje e shëmtuar, e pabesë ndaj shqetësimit dhe sigurisë publike, e cila vetëm sa na provon që krimi mbetet kërcënim, mbetet sfidë e madhe me të cilën duhet të përballemi fort me vendosmëri, me inteligjencë dhe në mënyrë të pandërprerë. I kam kërkuar drejtuesit të Policisë së Shtetit që të angazhohen të gjitha burimet për ta zbardhur sa më parë këtë krim, për ta goditur atë rëndë në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera ligj zbatuese dhe me prokurorinë, të cilës po ashtu i bëj thirrje për të adresuar të gjitha burimet e disponueshme në mënyrë që ky krim, i cili prishi qetësinë e kryeqyteti dje të zbulohet edhe si një mesazh ndaj kujtdo që guxon të ndërmarrë vepra të tilla, aq më tepër në mes të rrugës, duke sfiduar apo kërcënuar rëndë jetën e qytetarëve tanë dhe dua t’i garantoj ata që të gjitha strukturat ligj zbatuese në vend do të jenë shumë të angazhuara për të goditur me forcë çdo tentativë për prishjen e sigurisë dhe rendit në vend”, deklaroi Lleshaj.