Sot në orën 14:00, do të jepet masa e sigurisë për Redjan Rrajën, 34-vjeçarin nga Nikla e Fushë-Krujës, i cili u arrestua tre net më parë si një nga autorët e dyshuar në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtave. Ndaj tij rëndon akuza për veprat penale 'vrasje të funksionarëve publik', 'vrasje e mbetur në tentativë' e 'armëmbajtje pa leje'. Për Redjan Rrajën kërkohet masa e arrestit me burg për akuzat e mësipërme. Redjan Rraja është kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja. Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare, në tentativë për t'u larguar drejt Malit të Zi.

Në momentin e arrestimit në Shkodër në pikën kufitare të Muriqanit, i janë sekuestruar edhe dy telefona celularë të cilat nuk janë zhbllokuar ende nga grupi hetimor, por cilësohen si në provë kyçe që mund të çojë në zbardhjen e kontakteve me persona të përfshirë në këtë ngjarje si dhe itinerarin e lëvizjeve të tij.

Tek pistat e atentatit ndaj prokurorit, rezulton deri më tani ajo e një atentati me pagesë pasi sipas hetuesve nuk ka asnjë konflikt të dokumentuar mes Redjan Rrajës dhe prokurorit Arjan Ndoja apo edhe Landi Muharremit. Redjan Rraja njihet edhe me pseudonimin “Dara” pasi sipas hetuesve, ai në çdo veprimtari kriminale është gjakftohtë dhe i saktë. Rraja, sipas hetuesve është ndihmuar edhe nga tre bashkëpunëtorë të cilët po verifikohen.

Redjan Rraja i arrestuar si një nga autorët e dyshuar në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka punuar edhe në burgun e Fushë-Krujës. Rraja, i cili është me profesion stomatolog, ka një klinikë dentare së bashku me bashkëshorten e tij, gjithashtu stomatologe në qytetin e Krujës, por nga viti 2014, ai ka punuar stomatolog edhe në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fushë-Krujë. Rraja ka qenë dentist në dhomën e stomatologjisë ku kryhen shërbimet dentare për çdo të dënuar, por edhe i përfshirë në dy ngjarje, skandalin Xhisiela dhe te vrasja e Elton Çiços, mikut të familjes.