Ekzekutohet në një pritë në Durrës Edison Harizaj, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, njeriu që konsiderohet në Vlorë si i paprekshmi. Atentati ndaj Harizaj është kryer në mënyrë mjaft të organizuar, ku ekzekutorët që mendohet se janë më shumë pesë persona, kanë vënë në jetë një skenar thuajse të pamundur, për ta realizuar.

Kjo jo vetëm se kush ishte personi që ata kishin vënë në shenjestër për ta asgjësuar,çfarë përfaqësonte ai, dhe çfarë rreziku potencial i priste nëse nuk do arrinin ta vrisnin Harizaj, por edhe për vetë planin që atentatorët kishin zgjedhur të vinin në zbatim. Kundërshtarët e Harizaj, kanë marë informacion të hollësishëm se ku ndodhej në Tiranë dhe ka gjasa se kanë mbjatur në survejim lëvizjet e tij. Mesnatën e martës, pikërisht kur të gjithë ishin fokusuar në emocionet e ndeshjes sportive Inter-Barcelona, kundërshtarët e Harizaj kishin vendosur të kryenin asgjësimin fizik të tij.

Mësohet se Harizaj, pikërisht gjatë kohës kur luhej Inter-Barcelona, ka vendosur të udhëtojë me një automjet tip “Audi” në drejtim të Vlorës, ku personi që e shoqëronte ishte shoku i tij Genci Caci 33 vjeç, person jo me probleme me drejtësinë.Kundërshtarët i janë vënë në nga pas makinës së Harizaj i cili ishte pasagjer, ndërkohë që bashkëpuntorët e tyre kanë zënë pritën në zonën e unazës së Durrësit, pak para se të mbërijnë në zonën e plepave. Plani ka qënë shumë i qartë dhe shumë i organizuar, me përpikmëri.

Personat që i ishin vënë nga pas Edison Harizaj, njoftonin herë pas herë bashkëpuntorët e tyre, që prisnin në Unazën e Durrësit, se çfarë vendi ishte konkretisht. Sapo është afruar në zonën e plepave, një automjet ku ndodhej pjesa tjetër e grupit ka hyrë kundravajtje pikërisht në korsinë ku Harizaj, po udhëtonte nga Tirana në Vlorë. Genci Caci që ndodhej në timon, ka ulur shpejtësinë e makinës me shpresën për të shmangur automjetin që po vinte drejt tyre kundravajtje dhe me drita të gjata. Mirëpo Caci nuk ka kuptuar se e gjitha kjo ka qënë një pritë, në të cilën ai së bashku me të paprekshmin e Vlorës, kishte rënë brenda.

Edison Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci e ka parë veten mes dy makinave që e kishin bllokuar në autostradë,dhe prej andej janë lëshuar rreth 50 plumba kallashnikovi duke lënë të vdekur në vend Edison Harizaj dhe plagosur rëndë Genci Cacin. Por ky i fundit mbrëmjen e djeshme ka ndëruar jetë në spitalin ushtarak. Mësohet se Harizaj është qëlluar disa herë nga afër me plumba kallashnikovi, duke mos i dhënë asnjë mundësi që të reagonte. Për ngjarjen në fjalë policia e Durrësit është duke bashkëpunuar ngushtë me policinë e Vlorës, ndërkohë në vendgjarje nuk ka asnjë dëshmitar.

Në vendin ku autorët kanë zgjedhur të kryejnë krimin nuk ka asnjë pamje filmike për të mësuar sado pak nga masakra e ndodhur në rrugë. Për më tepër vendi ku autorët ekzekutuan mikun e Shullazit nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e “Shën Vlashit” të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur, më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët. Autorët kanë pasur informacion të saktë mbi lëvizjen e autorëve, ndërsa kanë qenë në kundravajtje, përballë duke qëlluar me breshëri kallashnikovi makinën tip “Audi” ku po udhëtonin Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci.

/Shqiptarja.com