Një atentat i mirëorganizuar ka qenë ai që i mori jetën 39-vjeçarit Edison Harizaj dhe la të plagosur Genci Cacën, mbrëmjen e sotme në Durrës.

Mësohet se dy personat nga Vlora po udhëtonin nga Tirana drejt qytetit të lindjes kur automjeti tip Audi me të cilin ata po lëviznin është goditur me breshëri plumbash.

Burime policore bëjnë të ditur se 39-vjeçari Harizaj dhe 33-vjeçari Caca janë goditur me breshëri dhe kanë marrë plagë të shumta. 39-vjeçari Harizaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 33-vjeçari është në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit.

Informacioni i policisë:

Më datë 06.11.2018, rreth orës 22:50 ,në lagjen nr. 13, Durrës brenda një mjeti tip “Audi” është gjetur pa shenja jete shtetasi E.H. 39 vjeç, banues në Vlorë dhe i plagosur shtetasi G.C. 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.