Të tjera detaje janë zbardhur për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Tiranë, ku humbi jetën një person dhe shoku i tij është plagosur.

Sipas informacioneve që bëri të ditur policia, viktima Emiliano Boçi 32 vjeç ndërroi jetë në spital.

Mësohet se viktima dhe i plagosuri 27-vjeçari, Melvin Disha, janë miq me njëri-tjetrin. Po ashtu mësohet se mbi ta është qëlluar me një armë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtëna, sapo dolën nga një lokal afër vendngjarjes.

Viktima dhe i plagosuri kishin tre javë që ishin rikthyer nga Gjermania. Dëshmia e shokut të viktimës, Melvin Disha pritet që të jetë kyçe në zbardhjen e ngjarjes nëse ka arritur që të identifikojë personin që e qëlloi me armë. Emiljano Boçi ka qenë një person i njohur për policinë e kryeqytetit. Ai ka qenë i dënuar për tentativë vrasje, para dy vitesh ishte liruar nga burgu, ndërsa në 2010-n ka mbetur i plagosur me armë zjarri pas një sherri në Selitë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 14.01.2018, rreth orës 17.50, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën  “Shefqet Musaraj”, një shtetas ndodhet i demtuar në një automjet.

Menjeherë në vendgjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:

Në rrugën “Shefqet Musaraj”, në një mjet është gjetur i plagosur me armë zjarri shtetasi E.B., 32 vjeç,  i cili u dërguar menjëherë në spital, ku ka ndërruar jetë.

Ndërkohë në spital ka shkuar i dëmtuar me armë zjarri në shpatull edhe shtetasi M.D., 27 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë ku po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.