Pas plot 1200 kilometrash vrap, atleti bullgar Krasse Georgiev mbërriti rreth orës 16.00 në qytetin e Durrësit. Ishte vetë kryetari i bashkisë Vangjush Dako që ka pritur pranë Sfinksit atletin bullgar, ndërkohë që bashkë me të ishin edhe ambasadorët e Bullgarisë në Shkup dhe Tiranë. Kryebashkiaku Dako i uroi mirëseardhjen sportistit bullgar duke vlerësuar iniciativën e tij për bashkimin e shteteve që lidh korridori panevropian i tetë. 

Vetë atleti u shpreh se tashmë ndihet i lumtur që pas 15 ditësh, nuk do t’i duhet më të vrapojë, ndërkohë që ka theksuar se ideja e bashkimit të këtyre shteteve nëpërmjet një autostrade ka qenë një dëshirë e hershme e tij. 

Në mënyrë simbolike atleti bullgar kishte marrë një shishe me ujë nga Deti i zi për ta hedhur në detin Adriatik në Durrës si simbol i bashkimit të dy deteve që janë në skajet e korridorit 8. Dokumentet me firmat e kryebashkiakëve të qyteteve nga ku kalon koridori i tetë janë grumbulluar në fund për t’iu dërguar prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë nga ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë. 

K.H.