Në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, autoblindat dhe policia e Durrësit kanë ushtruar dhe po vazhdojnë të ushtrojnë kontrolle përgjatë gjithë ditës së sotme në banesat dhe bizneset e disa individëve, për të cilët dyshohet se i kanë vënë pasuritë nga të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Burime zyrtare nga Policia e Durrësit, thanë për “DurrësLajm” se operacioni është shtrirë kudo në Durrës, dhe po ashtu janë ndalur edhe tek Lulzim Berisha.

Operacioni Forca e Ligjit operoi për herë të parë dje në terren, duke nisur nga resorti “Golden” i familjes Hajri në Shijak, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës.

Ndërsa ditën e sotme, OFL i ka dërguar një formular për deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve Lulzim Berishës në Durrës dhe Ardian Çapjas në Elbasan, në të kundërt do të sekuestrohet.

Si subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Policia sqaron se me marrjen e masës së sekuestros, çdo biznes, mjetet motorike apo tokat në pronësi të subjekteve administrohen nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, po as mund të shitet, të blihet apo të jepet me qira nga subjekti.