Abuzimi nga ana e komisionit të dhënies së lejeve të drejtimit për disa autoshkolla mbetet shqetësimi kryesor për shumë drejtues të këtyre të fundit. Favorizimet e paligjshme penalizojnë shumë kursantë dhe autoshkolla

Ndonëse nuk ka shifra të sakta se sa është numri i qytetarëve që pajisen me leje drejtimi në një vit, fakt është se numri i atyre që pajisen me patentë është dyfishuar në raport me pak vite më parë. Nga investigimi që bëmë në disa autoshkolla rezulton se vetëm një prej tyre ka patur mbi 1.000 kursantë në vit, ndërsa mesatarisht 15 autoshkolla të mëdha në Durrës, kanë nga 300 deri në 700 kursantë në vit, ku 35% të këtij numri e zënë femrat.

Kërkesa e madhe e qytetarëve për pajisjen me leje drejtimi ka rritur konkurrencën midis autoshkollave që operojnë në qarkun e Durrësit. Shpeshherë drejtuesit e këtyre autoshkollave apo vetë qytetarët kanë ngritur shqetësimin për favorizimet e ndryshme që bën komisioni i dhënies së lejeve të drejtimit kundrejt disa autoshkollave apo kursantëve të caktuar.

Një problem tjetër me të cilin përballen qytetarët është edhe burokracia, që jo rrallë herë shoqërohet me abuzime dhe favorizime nga ky komision.

Problematika

Gjatë investigimit që gazeta “Dyrrah” bëri në disa autoshkolla të qytetit nga drejtuesit e tyre u ngritën disa shqetësime si: taksat e larta me të cilat përballen gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre; procedurat e tejzgjatura që duhet të kryejnë kursantët para regjistrimit për nisjen e kursit të patentës, kryesisht për procedurat e Kryqit të Kuq; diferencimin që u bëhet në raport me autoshkollat e tjera të zonave rurale etj. DSHTRR-ja, në Durrës jep leje drejtimi për kursantë nga rrethet Rrogozhinë, Kavajë, Durrës, deri në Fushë Krujë.

Provimi i praktikës dhe i teorisë duhet të realizohet në një afat kohor prej 50 ditësh për kursantët. 20 ditë nga regjistrimi është provimi i teorisë dhe 30 ditë më pas është provimi i praktikës, por procedurat që kryhen në këtë drejtim, flasin për një mesatare prej minimalisht 70 ditësh për kursant. Kjo pasi nga drejtuesit e komisionit ka vonesa që rëndojnë dukshëm mbi autoshkollat.

Në ditët e përcaktuara për t’u futur në provim kursantët, shtyhen datat nga Komisioni i lejeve të drejtimit, i cili ka tagrin për të bërë një gjë të tillë. Një tjetër problem i ngritur nga autoshkollat është edhe numri i pakët i inspektorëve që marrin në provime kursantët, si në teori ashtu edhe në praktikë.

Me qindra kursantë nga rrethi i Kavajës, Durrësit, Krujës, Fushë Krujës dhe Rrogozhinës dynden në të dy datat e përcaktuara në javë për provime dhe koha e vënë në dispozicion të tyre është mjaft e pakët. Mesatarisht një kursant për testimin në praktikë kërkon 30 minuta kohë, por, realisht, provimi i praktikës nuk bëhet më shumë se dhjetë minuta, pasi numri i madh i kursantëve nuk është në raport të drejtë me numrin e inspektorëve që i marrin në testim.

Flasin drejtuesit

Kryetari i Shoqatës së autoshkollave të Durrësit, Skënder Kacerja, deklaron se deri tani kanë shpallur falimentimin gjashtë autoshkolla. Ai ngre disa pika si problematike. “Ashtu si shteti subvencionon shkollat private duke mos iu marrë TVSH-në, ashtu duhet të ndodhë edhe me autoshkollat. Është një nga bizneset më të vështira, sepse autoshkollat paguajnë edhe licencën e aktivitetit, që është një shumë e madhe parash. Na kanë vënë provimin e Kryqit të Kuq, duke rënduar edhe më shumë kursantët. Kursanti vjen p.sh., nga Ishmi, 50 km larg për të bërë mësimin e Kryqit të Kuq, ndërkohë që ne e kemi në programin mësimor. Çdo kursant paguan 21 mijë lekë me detyrim, duke blerë një libër. Shteti nuk i jep para Kryqit të Kuq dhe ja jep në këtë mënyrë”.

Problemi tjetër që shqetëson autoshkollat sipas Kacerjas janë favorizimet e komisionit. Ai nënvizon se ka favorizime për kursantë të ndryshëm, gjatë testimit, por ky fenomen është ulur në raport me atë si ka qenë vitet e shkuar. Kreu i shoqatës së autoshkollave thotë se në testim krahas favorizimit të kursantëve të autoshkollave të caktuara nuk përjashtohen rastet e favorizimeve si pasojë e njohjeve personale të kursantëve.

 

50 ditë duhet të jetë afati kohor për të kryer procedurat e provimit për kursantët.20 ditë nga regjistrimi është provimi i teorisë dhe 30 ditë më pas është provimi i praktikës, por procedurat që kryhen në këtë drejtim, flasin për një mesatare prej minimalisht 70 ditësh për kursant

30 minuta është koha e konsideruar si normale për të kryer provimin e praktikës për çdo kursant. Realisht, provimi i praktikës nuk bëhet më shumë se dhjetë minuta, pasi numri i madh i kursantëve nuk është në raport të drejtë me numrin e inspektorëve që i marrin në testim

Stefan Grabocka, i cili ka një autoshkollë të licencuar tre vjet më parë shprehet se çmimet janë ulur, pavarësisht se është rritur çmimi i naftës, por kursantët paguajnë 15 mijë lekë të reja taksa dhe kartonin e patentës. Kjo është një vlerë e madhe për të gjithë.

Konkurrenca ka sjellë aplikimin e çmimeve të ndryshme, përsa i përket kursit të patentës. Por vetëm një numër i vogël autoshkollash konkurrojnë me teknologji bashkëkohore gjatë procesit të mësimdhënies së teorisë, e cila është baza për njohjen dhe respektimin e kodit rrugor, nga kursantët dhe shoferët të cilët dalin në rrugë pasi marrin lejen e drejtimit.

Ndonëse pronarët e autoshkollave tregohen të rezervuar, një prej tyre, i cili nuk do që të identifikohet për të mos patur të tjera penalizime nga Komisioni i dhënies së lejeve të drejtimit, shprehet se,- “është mjaft i çuditshëm, fakti që nga 12 kursantë të gjithë nga qyteti i Durrësit, provimi e marrin vetëm dy prej tyre, ndërkohë që të njëjtin testim e kalojnë që në herën e parë kursantët që vijnë nga zonat rurale.

Pothuajse për të gjithë kursantët është e njëjta procedurë testimi, por autoshkollat e zonave rurale në jo në pak raste, kanë raporte shumë më të mira me kryetarin dhe anëtarët e komisionit”. Pronari i autoshkollës nënvizon, se disa herë kanë ndodhur debate midis drejtuesve të autoshkollave dhe kryetarit të komisionit, dhe për çdo herë kursantët e asaj autoshkolle, që kundërshton vendimet e Komisionit, përballen me vështirësi gjatë aktivitetit të tyre të mëtejshëm. 

Pronari i autoshkollës shprehet se shqetësimin e ka ngritur edhe tek drejtori i DPSHTRR-së. “Kur drejtori merr pjesë në komision, vetëm pak kursantë nuk e marrin provimin e teorisë, kur ai mungon, komisioni bën lëshime dhe favorizime në kundërshtim me rregulloren”,- përfundon ai. 

Drejtuesit e autoshkollave bëjnë me dije se aksidentet më të rënda ndodhin pikërisht prej atyre shoferëve, të cilët e kanë marrë lejen e drejtimit kundrejt ryshfetit e jo në mënyrë të merituar. Aksidentet më të rënda ndodhin pikërisht nga banorët e zonave ruruale, si pasojë e mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga statistikat e policisë rrugore vetëm 17% e aksidenteve rrugore janë regjistruar nga kursantët e rinj, 83% u përkasin shoferëve me përvojë.

Reagimi i DSHTRR

Për këto shqetësime të ngritura nga autoshkollat e Durrësit, gazeta “Dyrrah” pyeti drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Durrës, Neritan Golja, i cili tha se i ka mirëpritur të gjitha vërejtjet e autoshkollave, madje rast pas rasti i ka marrë ato në shqyrtim. 

“Bashkëpunimi me autoshkollat gjatë periudhës që unë drejtoj këtë drejtori ka qenë shumë normal dhe i ndërsjelltë. Por drejtuesit e autoshkollave nuk paraqesin probleme thelbësore, megjithëse dua të nënvizoj se Komisioni i dhënies së lejeve të drejtimit është një strukturë e veçantë, e cila nuk ka varësi nga Drejtoria. Ky komision i përbërë prej katër anëtarësh, miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e DSHTRR-së dhe është kompetencë e saj të verifikojë punën e komisionit. Përsa u përket shërbimeve që ne ofrojmë ato janë të një game të madhe dhe menjëherë pas përfundimit të afatit ligjor mbi faljen e detyrimeve të automjeteve dhe çregjistrimeve puna ecën normalisht, pa u krijuar radhë, siç regjistroheshin para 31 Marsit”,- tha Golja.

RETRO

Sistem pikëzimi për shoferët e rinj

Një vit më parë, në mars të 2011-ës, Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore, Presidenti, Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve kërkuan të vihej në zbatim strategjia e sistemit të pikëzimit për lejet e drejtimit, çka do të ulte numrin e madh të aksidenteve,por edhe korrupsionin në drejtim të dhënies së lejeve të drejtimit. 

Kjo strategji aplikon rregulla të forta për të gjithë drejtuesit e rinj që pajisen për herë të parë me leje drejtimi. Të gjithë ata që do të duan të marrin një të tillë, pavarësisht se mund të kalojnë provën e parë, do të pajisen me një leje provizore për dy vitet e para. Ndërkaq, do të ngrihet edhe një sistem kombëtar pikësh penalizuese, i cili do të shërbejë për të identifikuar ata që janë më të papërgjegjshëm në qarkullim. Nëse shkeljet përsëriten shpesh, mund t’u hiqet leja e drejtimit nga gjykata. Sakaq, është propozuar që të ulet edhe niveli i lejuar i alkoolit në gjak për drejtuesit e automjeteve. Të gjitha këto ndryshime parashikohen në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2011-2020 dhe do të vihen në zbatim nga ky vit deri në vitin 2015 sipas një plan-veprimi. Kjo strategji synon ta t’i përshtatë standardet tona me ato të Bashkimit Europian. Të dyja këto dokumente kanë marrë miratimin e të gjitha strukturave përkatëse, duke filluar nga Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore, ministritë e linjës dhe Presidenti.

PIKETAT

Strategjia për lejet e reja të drejtimit

1. Përmirësimi i sistemit të pajisjes me leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve në harmoni me kërkesat e sigurisë së BE-së;

2. Bazë për amendamentet duhet të shërbejnë direktivat e BE-së në lidhje me pajisjen me leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve.

3. Instalimi i një sistemi pikësh penalitetesh në nivel kombëtar. 

4. Prezantimi i lejeve provizore për drejtuesit e rinj të mjeteve.

5. Vendosja e një kodi identifikimi të autoshkollës në lejen e drejtimit.

6. Monitorimi i drejtuesve të rinj të mjeteve dhe ndërhyrja e shpejtë në raste sjelljesh agresive dhe të rrezikshme.

7. Aktivizimi i sistemit të kufizimit për drejtuesit e rinj të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë Kodin Rrugor, p.sh. toleranca “zero” për përqindjen e alkoolit në gjak.