Në Tiranë, sot, u zhvillua protesta paqësore “Për Fëmijërinë e Vjedhur”, e nxitur nga rasti i fundit i abuzimit të 15-vjeçares në Babrru nga roja i shkollës së saj 65-vjeç.

I pranishëm në protestë ishte dhe babai i vajzës i cili thotë se tani është në hasmëri me 6 persona dhe bëri apel që të zhvendosej në një zonë tjetër për të banuar.

Ai iu drejtua autoriteteve që ta ndihmonin pasi në shtëpinë ku banon aktualisht ka marrë kërcënime nga persona të ndryshëm.

“Dëgjova sot në parlament se Edi Rama denonconte djalin, për shkarkim të drejtorit të Policisë. Po për veten time çfarë bën Edi Rama. Unë e dëgjova në parlament, asgjë s’bëri. Se nuk ka fëmijë ai, nuk ka vajzë ka vetëm djalë.

Ju lutem prindërve, vëllezërve, drejtorëve të shkollave dhe Ministres së Arsimit që të vënë roje policie se fëmija është fëmijë, ato me një karamele rrehen. Sa më afër fëmijës.

Janë gjashtë veta që unë jam në hasmëri. Unë, djali im dhe vajza ime. Ju lutem shtetit me na ndihmu, që nga ajo shtëpi të na çojnë në një vend tjetër, ose i lutem Elvis Naçit me na e ndërru me një hyrje kokë për kokë, kompensim.

Vijnë te shpija në Babrru bëjnë vetëm sherre, shantazhe, jo të vras, jo të pres. Ata janë të gjithë grup, janë fis, kurse unë tani kam ardhur aty në Babrru, prandaj e bëjnë këtë punë. Ku gjejnë bëjnë.”– tha ai.

Më tej ai paralajmëron vetëgjyqësi nëse 65-vjeçari që aktualisht ndodhet në burg, nuk merr dënimin e merituar.

“I lutem drejtoreshës së Ministrisë së Arsimit, mirë që e vuajti vajza ime, mos ta vuajnë të tjerët. Ai që e bëri, u kalbtë atje. Unë do e kisha vrarë, po mirë që hyri në burg. Nëse qeveria nuk i jep dënimin e merituar, do ia jap unë si prind. Ai mos të dalë gjallë se jo vetëm mua, por të gjithë, por kanë pasur frikë të flasin në Babrru.”– u shpreh babai i vajzës.

Me pankarta në duar, të pranishmit në protestën e sotme treguan se dënimet për pedofilët duhet të jenë më të rënda, teksa theksuan nevojën për të qenë një shoqëri më e ndjeshme dhe jo indiferente ndaj këtyre fenomeneve.