Fshati i Kaninës, është pjesë e paketës “100 Fshatra” dhe tashmë 400 abonentë, familjarë dhe biznese, kanë jo vetëm një furnizim më të mirë me energji elektrike, por njëkohësisht ky investim ndikon edhe në rritjen e potencialeve turistike të kësaj zone, duke ofruar mundësi për operatorët që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë që të shtojnë kapacitetet e tyre.

Në kuadër të mbështetjes së sezonit turistik, veçanërisht në zonat me më tepër potencial, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim dhe me Bankën Botërore, ka përfunduar në fshatin e Kaninës, Vlorë, investimin i cili bën të mundur transformimin rrënjësor të furnizimit me energji elektrike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorës, Dritan Leli inspektuan investimin e realizuar, një investim me vlerë 145 milionë lekë, ku u bë e mundur ndërtimi i 7 kabinave të reja, vendosja e mbi 100 shtyllave dhe shtrimi i 5 km kabull tension i ulët me ABC.

“Ne kemi arritur të ulim humbjet e energjisë si pasojë e këtyre investimeve me rreth 7 përqind në këtë zonë. Tashmë i gjithë rrjeti i furnizimit për këtë zonë është 20 kilovolt, me kabina box të reja dhe deri më sot nuk kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike”, bëri të ditur Erjon Osmanaj, drejtori i OSHEE, Vlorë duke shtuar gjithashtu se sipas të gjithë treguesve ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së furnizimit për të gjithë abonentët që preken nga ky investim.

Duke sjellë në vëmendje faktin që Kanina është pjesë e projektit të Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”, ministrja Balluku nënvizoi se ky investim shkon në mbështetje të zhvillimi turistik të zonës, ndërsa theksoi se synimi është ofrimi i një shërbimi sa më dinjitoz gjatë gjithë vitit pavarësisht se në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik, rritet ndjeshëm kërkesa për konsum të energjisë elektrike.

Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi”, u shpreh Balluku.

Për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli investimet në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energjisë elektrike si dhe ato në infrastrukturë janë investime të cilat i pararendin çdo investimi tjetër në fushën e turizmit. “Këto investime janë pararendëse dhe garantuese që çdo gjë tjetër që do të vij në këtë territor do të jetë e një standardi të lartë dhe në fund fare në shërbimin e asaj që ne duam të gjithë që të kemi, turizëm në sa më shumë shtrirje në gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës”, tha kryebashkiaku Leli.

Zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike. Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët. Këto kabina tashmë janë demontuar, duke u zëvendësuar me kabina tip box dhe pajisjet, kurse linja TM nga ajrore 6kV është kthyer në kabllore (nëntokë) me tension 20kV.