Banorët e lagjjes numër 14 në Durrës prej gati dy dekadash jetojnë si para mesjete. Shkak është infrastruktura e dëmtuar deri në atë pikë, sa kjo lagje e Durrësit të ngjan me getot e dikurshme.

Lagjja numër 14 ose Shkozeti, siç njihet, është një prej zonave industriale me të rëndësishme jo vetëm në Durrës, por për rrugët dhe zhvillimin e infrastrukturës nuk është vënë dorë nga bashkia e Durrësit.

Një rast flagrant është rruga “Shqipe Arbnori”. Banorët jo rrallë izolohen në raste përmbytjesh ndërsa në normalitet duhet të dalin me dy palë çizme nga shtëpia. Balta dhe uji në këtë lagje janë të gjithëpushtetshme. E si të mos mjaftonte kjo, kanalet e ujërave të zeza qëndrojnë të hapura duke prodhuar dimër-verë infeksione për banorët.

Investimet në infrastrukturë në Durrës janë centralizuar në mënyrë të frikshme pasi për qendrën e qytetit janë investuar mbi 15 milionë dollarë në vitet e fundit, ndërsa për zonat periferike zero lekë. Per sheshin “Veliera” u investuan 6 milionë dollarë, ndërsa investimi është i bllokuar prej gati dy vjetësh. Po kështu, më shumë se 6 milionë dollarë janë investuar në dy rrugë “Egnatia”, nga stacioni i trenit te “Veliera”, dhe në rrugën “Aleksandër Goga” nga Mauzoleumi i Dëshmorëve në sheshin “Liria”. Këto investime miliona euroshe konsistuan në ngushtimin e rrugëve dhe zgjerimin e trotuareve duke paralajmëruar kolaps në trafikun rrugor për sezonin e pritshëm veror.

K.H.