Banorët e pallatit që ka pësuar dëmtime dhe krisje të mëdha në afërsi të stacionit të autobusave të Shijakut në Durrës, lagja nr. 4, rrëfejnë panikun e madh që i ka kapluar pas tërmetit të fuqishëm që i goditi dje.

Banesat e tyre kanë pësuar dëmtime, muret janë krisur e suvaja ka rënë në tokë, ndërsa dhe orenditë shtëpiake i janë dëmtuar një pjesë.

“Gjithë shtëpia më është dëmtuar, muret të gjitha janë plasaritur. Nuk e kam marrë veten akoma, nuk e di si do shkojë kjo punë. Më dridhet i gjithë trupi, natën e kaluam jashtë”, tregon zonja e frikësuar.

“Ky pallat është ndërtuar në vitin 1991, është pallat i mirë, por tërmeti ishte aq i fuqishëm, sa na u duk sikur ramë në greminë. Zoti është i madh që e shpëtoi”, tregon banori i këtij pallati që ka parë tmerr me sy.