Mëngjesin e kësaj të enjteje, Këshilli Bashkiak Durrës zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku miratoi prishjen e dy pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Objektet ndodhen njëri në qendër të Durrësit, pallati i VIP-ave në bulvardin “Dyrrah” dhe tjetri në lagjen nr.17.

Lidhur me këtë të fundit, “DurrësLajm” mëson se bëhet fjalë për pallatin 13 katësh ( 12+1 nëntokë) të firmës së ndërtimit “Kastrati shpk”, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Deri më 26 nëntor para lëkundjes me magnitudë 6.3, në këtë godinë jetonin 120 familje të cilat kanë protestuar më herët pasi nuk i besonin projektit të hartuar nga kompania “Kastrati” për riparimin e dëmeve dhe kërkonin shembjen e pallatit.

Asokohe, administratori i pallatit deklaroi para mediave se në bazë të projektit të depozituar në bashkinë e Durrësit, pallati duhet të kishte 765 pilota ndërkohë që nuk kishte asnjë. Banorët denoncuan se pallati shumëkatësh anoi mbi 60 cm.

Ndërkohë që prishja e objektit pritet të bëhet nga IKMT gjatë këtyre diëve, nuk dihet ende nëse rindërtimi do të bëhet në të njëjtën zonë apo jo pasi ky vendim nuk varet nga Bashkia Durrës por qeveria.

*Më poshtë video e protestës së banorëve më 6 shkurt 2020

G.D.