Paraditen e kësaj të shtune, banorët e Xhafzotaj janë ngritur në protestë për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Protestuesit kanë bllokuar rrugën Durrës-Shijak dhe nuk lejojnë qarkullimin e mjeteve ndërsa kërkojnë rregullimin e infrastrukturës.

Banorët kanë vendosur kazanët e plehrave në mes të rrugës duke mos lejuar makinat të kalojnë.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj zone ngrihen në protestë për infrastrukturën e rënduar të rrugës që lidh qytetin bregdetar të Durrësit me Shijakun.

Amortizimi i aksit nacional vetëm 5 kilometra i gjatë ka bërë që të kthehet në makthin e drejtuesve të automjeteve prej vitesh, por ende nuk është bërë ndërhyrja e nevojshme.