Banorët e lagjes numër 11 në qendër të Durrësit pranë godinës së Gjykatës së faktit i ka gjetur “belaja” e madhe. Shkak është një ish-ndërtesë e vjetër e cila u bë objekt sherri midis pronarëve të truallit dhe ndërtuesve gati 10 vjet më parë.

Në atë kohë trualli iu dha për ndërtim një firme ndërtuese e cila më pas përfundoi në gjykatë për mashtrim, ndërsa godina u shkatërrua prej saj dhe çdo vit që kalon e kthen në një burim të madh aksidenti dhe infeksioni.

Godina e rrënuar në mes të Durrësit u kthye në vendin e qëndrimit të narkomanëve dhe në një banjë të madhe publike, pavarësisht se gjendet para një kompleksi banesash luksoze, dhe në qendër të qytetit.

Një pjesë e çatisë së godinës tre katëshe qëndron në havan, ndërsa zona është zaptuar nga plehrat dhe era e rëndë. Godina gjendet në krah të trotuarit 100 metra larg prej gjykatës së shkallës së parë, e po kaq nga Mauzoleumi i Dëshmorëve. U bënë disa vjet që godina po vijon të shkatërrohet, duke u kthyer në burimin kryesor të shqetësimit, ndërsa qytetarë e tregtarë aty afër ngrenë alarmin e situatës.

“Ne nuk na intereson nëse ka konflikte me ish-pronarët, me ndërtuesit apo me bashkinë, ne na duhet që kjo banjë publike e qendër prostitucioni të largohet nga lagja jonë”, ky është apeli që japin banorët.

“Ata që ndërtuan ishin batakçinj, pallatin ngjitur e kanë shitur tre a katër herë deri tani. Në gjyqe janë. Por ne nuk na intereson shumë ç’bëjnë pronarët. Unë nuk hyj dot në pallatin  tim. Është tmerr se aty mblidhen të droguarit, dhe çfarë nuk bëjnë. Bashkia të marrë masa, se qytetarët paguajnë taksa”, thotë një tjetër banore.   

“Këtu u prish godina e vjetër, gjysma e saj u ndërtua një pallat, e gjysma mbeti kjo gërmadhë midis pallateve. Por më keq nuk ka ku të shkojë, sepse gjendet në mes të lagjes. Vijnë njerëzit që do ikin në gjykatë e kthehen e këtu kryejnë nevojat fiziologjike. Sa turp! Nuk dalim dot në ballkonet e shtëpisë”, thotë një grua.

K.H.