Banori i një pallati në Durrës: Nuk firmos për 5 mln lekë, të vijnë ta verifikojnë ose të ma bëjë bashkia (VIDEO)

10/08/2020 - 20:18

Nerim Llani është banor i pallatit nr.813, lagjja nr.18 në Durrës. Që nga tërmeti i 26 nëntorit ai jeton me frikë, pasi banesa e tij është dëmtuar rëndë nga lëkundja sizmike. Ai ka një kolonë të çarë brenda në shtëpi, ndërkohë që refuzon të firmosë kontratën me bashkinë, megjithëse i ka dalë emri tek përfituesit e grantit dhe është klasifikuar me dëme DS3.

“Hajde merr 5 milionë lekë më thonë. Le të vijë bashkia dhe ta bëjë me 5 milionë. Unë nuk dua asnjë lek në dorë, le të vijë bashkia dhe të ma rregullojë si­ç e pata. Nuk e di kush është ky zotëria që shtëpinë time e ka nxjerr DS3, sepse dokumenti nuk ka as firmë, as vulë. Kush është ky inxhinier që asnjëherë nuk ka ardhur në shtëpinë time dhe e ka nxjerrë me dëmtime DS3. Katet e para nga ana e rrugës janë të shkatërruara, nuk kanë asnjë lloj muri. Vetëm ky është muri kryesor që mban pallatin”,- thotë Llani, ndërsa tregon murin që përshkon kuzhinën dhe korridorin e shtëpisë së tij.

Llani zotëron dy akt-konstatime, njëri që e ka nxjerrë pallatin me dëmtime DS4 dhe që mban firmën dhe vulën e një inxhinieri dhe një akt-konstatim tjetër që nuk dihet nga kush është hartuar dhe që është marrë për bazë nga bashkia për ta vlerësuar pallatin në fjalë me grantin e rindërtimit në nivelin DS3.

Llani thotë se problemin e tij e ka diskutuar me kryetaren e Njësisë Administrative nr.4 Davide Ndoi, e cila sipas tij është në dijeni se pallati ka dëmtime DS4, sepse e ka parë nga afër edhe apartamentin e tij.

“Deri tani nuk ka ardhur asnjëherë të bëjë verifikimet e nevojshme”,- thotë Llani, ndërsa nuk nguron të theksojë se do të vazhdojë të ankohet derisa shqetësimi i tij të merret parasysh.

Sipas banorëve, pallati i tyre është anuar, pasi ndërhyrjet e bëra nga pronarët e kateve të para, që kanë bizneset në rrugën “Aleksandër Goga” kanë prishur muret mbajtëse të pallatit. Madje, ajo që tërheq vëmendjen tek ky pallat është fakti se ambientet e përbashkëta të hyrjes së parë janë rregulluar pak ditë pas tërmetit nga njëri prej pronarëve të bizneseve, ndërsa hyrja e dytë i ka të dukshme në shkallë dhe në kate të ndryshme dëmet e shkaktuara nga lëkundja sizmike.

Diana është një tjetër banore e pallatit, e cila sapo ka marrë grantin dhe ka nisur punimet, sepse siç e pranon dhe vetë nuk mund të jetojë më në shtëpi me qira. Apartamenti i saj duket si i bombarduar, pasi suvaja dhe një pjesë e mureve është hedhur në tokë.

“Pallati ka një anim në të majtë të tij. Punime që ne po bëjmë, që të kenë kuptim duhet të shihen kolonat, dëmtimet që ka pësuar godina, deri në çfarë grade janë. Duhet të rregullohen këto dëmtime, në mënyrë që punimet tona të mos jenë thjesht një buzëkuq, por të na mundësojnë që në të ardhmen të flejmë rehat në shtëpi”,- thotë Diana.

Gati nëntë muaj pas tërmetit, pasojat që ai la pas në qytetin bregdetar janë ende mjaft të dukshme. Një pjesë e konsiderueshme e banorëve kanë marrë grantin e rikonstruksionit, ndërkohë që mesditën e sotme u miratua lista e katërt me 2306 qytetarë të tjerë që do ta përfitojnë atë. Gjithsesi, kjo nuk zgjidh problematikat e theksuara, pasi ende nuk ka dritë jeshile për riparimin e ambienteve të përbashkëta. Nga ana tjetër, ende nuk ka nisur rindërtimi i shtëpive individuale dhe ka shumë paqartësi lidhur me fatin e pallateve me dëmtime DS4 dhe DS5, të cilat kanë mbetur si ditën e parë pas tërmetit të frikshëm.

M.B.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Aeroporti i Tiranës ka publikuar listën e 23 fluturimeve që janë konfirmuar për nesër, 28 shtator 2020.

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë.

Ambasada shqiptare në Athinë njofton se do të shkurtojë periudhën e pajisjes me pasaportë për emigrantët shqiptarë në Greqi, ndryshe nga

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për pedagogun e Shkencave Humane në Korçë, Alket Dino, i cili akuzohet për mitmarrje

Bombula e gazit është bërë shkaktare për shkrumbimin e një apartamenti në lagjen nr.17, pranë stacionit të trenit në Durrës.

Gjatë kontrolleve të policisë rrugore në aksin rrugor Elbasan-Tiranë në zonën e Saukut, janë evidentuar shoferë duke qarkulluar me shpejt

Ditën e sotme vendi jonë do të alternohet me kthjellime dhe vranësira gjatë paradites, duke sjellë herë pas herë shira të izoluar.

Votat për referendumin mbi shkurtimin e numrit e deputetëve dhe senatorëve kanë përfunduar për gati një javë, ku “Po”-ja fitoi bindshëm.

Covid-19 ishte shkak pse gazetari Erjon Skëndaj, mungoi për një kohë të gjatë në kronikat informative, apo lidhjet e drejtpërdrejta në Ne

Ambasadorët e BE në ditën Europiane të Gjuhëve i janë drejtuar me një mesazh qytetarëve të Shqipërisë për të respektuar masat ndaj COVID-