Qyteti i Durrësit, është një qytet i pasur me site arkeologjike, të cilat janë të vizitueshme përgjatë gjithë vitit si nga turistë vendas ashtu edhe ato të huaj. Megjithatë, Durrësi ka edhe një pasuri arkeologjike nënujore të pa investiguar deri më sot, edhe pse ato përbëjnë një vlerë të shtuar për qytetin tonë. Ndaj, Bashkia Durrës vendosi të ndërmerrte një nismë të rëndësishme për të nxjerrë në dritë dëshmitë e mbuluara nga rëra në fund të detit. Një mision aspak i lehtë, por që merr shumë vlera nëse rezultatet janë ato që priten.

Kështu, Bashkia Durrës në partneritet me Qendrën Muzeore Durrës dhe me partnerë të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, si Univeristeti i Teramos, Itali, Bashkia e Ortonës, Itali, Bashkia e Korfuzit, Greqi, Bashkia e Dubrovnikut, Kroaci etj që në Janar të vitit 2018, është në fazën e zbatimit të Projektit APPRODI: From Ancient Maritime Routes to eco-touristic destinations/Nga Rrugët Antike Detare në destinacionet eko-turistike, i cili ka si synim investigimin nënujor të siteve arkelogjike, sipas metodave bashkëkohore të kërkimit arkeologjik nënujor. Ky Projekt i cili financohet nga Programi i Bashkimit Evropian Interreg ADRION 2014-2020, është parashikuar të përfundojë në shkurt të vitit 2021.

Qëllimi kryesor i Projektit APPRODI është promovimi dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore në zonën e ADRION-it duke rritur menaxhimin dhe promovimin e rrugëve tregtare dhe porteve antike si destinacione ekoturistike si edhe duke përmirësuar njëkohësisht përfshirjen e komuniteteve lokale. Për më tepër, Projekti “APPRODI” na mundëson krijimin e hartës së përbashkët të trashëgimisë kulturore për zonën Adriatiko-Joniane, nxitjen dhe forcimin e ndërveprimit midis grupeve të interesit në fushën e eko-turizmit si edhe krijimin e një platformë të përbashkët online për promovimin e trashëgimisë kulturore:

https://www.adrioninterreg.eu/index.php/2020/03/04/adrion-thematic-cluster-towards-sustainability-in-cultural-and-natural-tourism-destinations/.

Ndërkohë, në nivel lokal, ky Projekt ka si synim investigimin nënujor në ato zona që kanë potencial të lartë arkelogjik. Për këtë qëllim, nga Eksperti i Arkeologjisë nënujore Prof. Dr. Adrian Anastasi, janë identifikuar dy zonat pilote me potencial arkeologjik: Zona e Currilave/Batlla dhe zona e Kepit të Rodonit.  Nga investigimi i kryer në këto dy zona kanë rezulatur gjithsej:

  • 31 gjetje arkeologjike në zonën e Currilave/Batllave;
  • 57 gjetje arkeologjike në zonën e Kepit të Rodonit (zona Veriore dhe zona Jugore).

Të gjitha këto gjetje arkeologjike, për disa prej të cilave është bërë edhe një trajtim paraprak, shërbejnë për përgatitjen e pavionit/Katit të III në Muzeun Arkeologjik, i cili është dedikuar arkeologjisë nënujore.

Me qëllim promovimin e rrugëve tregtare dhe porteve antike si destinacione eko-turistike, në muajin dhjetor të vitit 2020, Bashkia Durrës ka organizuar eventin Tematik: vizitë studimore dhe tur mediatiak, në të dyja zonat pilote të përzgjedhura: Kepi i Rodonit dhe Currila/Batlla. Në këtë vizitë studimore dhe mediatike njëkohësisht, morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Durrës dhe Qendrës Muzeore Durrës, ekspertë të arkeologjisë nënujore, operatorë turistikë si edhe gazetarë të specializuar të medias së shkruar dhe asaj audio-vizive. Ky event Tematik është organizuar në përputhje me masat e sigurisë ndaj pandemisë globale të shkaktuar nga COVID-19.

Në këtë rrugëtim mediatik, Profesor Anastasi ndër të tjera na shpjegon se një nga zonat më të rëndësishme përsa i përket zbulimeve arkeologjike nënujore është ajo e Kepit të Rodonit. Një zonë, të cilën turistët kanë filluar ta frekuentojnë shpesh në vitet e fundit, sidomos fortifikimin e Skënderbeut (të ndërtuar në vitin 1463) që mbetet si një simbol i këtij vendi si edhe Kishën e Shën Antonios që përbën një objekt të trashëgimisë kulturore. Por, vlerat e kësaj zone janë shumë të veçanta. Deti këtu adhurohet nga të gjithë, por ajo çfarë mbart në fund të tij, është akoma më e jashtëzakonshme sa i përket rëndësisë dhe vlerave historike të këtij vendi. Kërkimet nënujore në zonën e kepit të Rodonit u ndanë në dy pjese: zona Veriore dhe zona Jugore.

Materiali arkeologjik i identifikuar në zonën e Veriut daton nga fundi i shekullit IV para Krishtit dhe vazhdon deri në fund të periudhës mesjetare. Pjesë të anijeve moderne të ndërtuara prej druri ose metali janë gjetur gjithashtu të shpërndara, dhe disa prej tyre ndoshta i përkasin rrënojave të Luftës së Parë Botërore. Më herët, në vitet e kaluara, në këtë zonë janë identifikuar dy rrënoja të periudhës helenistike që transportonin amfora dhe materiale ndërtimi, nga Dyrrahium në Lissus si dhe dy rrënoja moderne prej druri të cilat i përkasin shekullit XVII dhe fundit të XIX. Ndërsa, materiali arkeologjik i identifikuar në zonën Jugore të Kepit kryesisht përbëhet nga fragmente amforash dhe sendesh, të cilat i përkasin periudhës së Perandorarisë Romake. Potenciali për zbulime të tjera arkeologjike në të ardhmen duket se është premtues.

Por, Projekti “APPRODI”, siç e përmendëm edhe më herët, nuk ka patur vetëm zonën e Kepit të Rodonit në qendër vëmendjes. Zona e Currilave është mjaft e njohur në të shkuarën e kërkimeve arkeologjike në Durrës. Madje Profesor Anastasi na zbulon se pikërisht në zonën e Batllave, janë hedhur edhe themelet e para sa i përket kërkimeve arkeologjike nënujore në Shqipëri. Kërkime, të cilat do të shërbenin edhe për krijimin e një regjistri të mirëfilltë të përpjekjeve të bëra nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga njerëzit e shquar të kësaj fushe. Kjo zonë ka një rëndësi të veçantë si zonë pilotimi, sepse shërben për të sqaruar pozicionin e portit antik/Limanit që daton në fundin e periudhës pre-historike.

Gjatë kërkimeve nënujore janë identifikuar elemente detare antike, elemente arkitektonike, fragmente amforash, enë kuzhine, etj., të cilat  datojnë nga periudha klasike deri në antikitetin e vonë. Disa prej tyre u gjetën ndërsa pjesa tjetër u la në vend. Ky material arkeologjik plotëson të dhënat e mëparshme të marra nga kërkimet në limanin e Durrësit (porti arkaik). Materiali i Currila – Batlla lidhet drejtpërdrejt me portin e Durrësit si destinacioni kryesor. Këto kërkime nënujore, nxjerrin në pah faktin se kjo rrugë detare e cila shërbente për shkëmbime tregtare, lidhej me zona të rëndësishme ekonomike të Mesdheut si Korinti (Corinthi) dhe Korkyra (Corkyra), me portet e Siçilisë, ato të bregdetit Italian të lagura nga deti Adriatik si edhe ato të Afrikës Veriore.

Të dyja zonat nxisin shumë interes sepse kanë në brendësi një potencial të lartë arkeologjik. Në këtë rast, mund të pohojmë se nuk kemi të bëjmë vetëm me gjetjet dhe interpretimin e tyre, por edhe me vënien e këtyre të fundit në shërbim të turizmit. Sikurse edhe Prof. Anastasi pohon, këto dy zona përfaqësojnë jo vetëm pjesë të përbashkëta kohore historike, por edhe të veçuara. Nëse në Kepin e Rodonit flasim edhe për elementë të periudhës mesjetare, në limanin e Durrësit, pra tek zona e Currilave, kemi të bëjmë me një pjesë shumë të rëndësishme të projektit, pasi gjejmë gjurmë nga periudha arkaike, deri në ditët e sotme.

Bashkia Durrës tashmë ka një fokus të veçantë për të pasuruar turizmin edhe me ofrimin e një produkt tjetër turistik: arkeologjinë nënujore. Zbulimet e bëra në zonën e Kepit të Rodonit dhe në plazhin e Currilave, synojnë të diversifikojnë guidat turistike të qytetit në sajë të kombinimit tokë dhe det, duke u mundësuar kështu vizitorëve diçka ndryshe nga e kaluara. Për këtë arsye, në eventin Tematik ishin të ftuar edhe operatorë turistike me qëllimin që të prekin më nga afër rezultatet e këtij projekti si edhe për të kuptuar me qartë edhe rëndësinë e artefakteve të gjetura. Është e qartë se, më shume se çdo qytet tjetër në Shqipëri, Durrësi ka potencialin më të madh për zhvillimin e turizmit arkeologjik, rëndësia e të cilët po rritet gjithnjë e më shumë.

Projekti “APPRODI” shënon ndoshta përpjekjet e para serioze e masive për zhvillimin e kësaj arkeologjie, që sigurisht, do të sillte pasuri të jashtëzakonshme për qytetit bregdetar. Vlera, të cilat mund të inkurajojnë akoma më shumë zhvillimin e turizmit arkeologjik. Një shembull që duhet ndjekur edhe nga qytetet e tjera në vendin tonë.