Për ata që tashmë kanë hyrë në javën e katërt të karantinimit, ditët i lënë vendin njëra-tjetrës dhe ndoshta edhe datat ngatërrohen. Por për institucionet vendore, përkujtimi i datave të rëndësishme për historinë e qytetit dhe vendit është detyrim.

Për të gjithë ata që e kanë harruar, sot është 7 prill. Në 7 prill 1939, plot 81 vite më parë, disa patriotë durrsakë, me në krye kapitenin e Marinës Mbretërore, Mujo Ulqinaku, iu përgjigjën me armë zbarkimit italian në Durrës.

Kjo datë përkujton rezistencën antifashiste dhe dëshmorët që dhanë jetën për atdheun e tyre. Në kohë tjetër, bashkia do të kishte organizuar pranë bustit të Mujo Ulqinakut ceremoninë përkujtimore, në nderim të Heroit të Popullit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë. Por pandemia e koronavirusit e pamundëson një gjë të tillë.

Heroizmi dhe sakrifica e dëshmorëve mund të kujtohej edhe me një postim në rrjete sociale, por pavarësisht se DurrësLajm kontrolloi faqen zyrtare në Facebook të kryebashkiakut në detyrë, Zhyljen Varfaj, atë të bashkisë Durrës dhe web-in e institucionit të qeverisjes vendore asnjë postim nuk ishte bërë deri në orën 16.30.

Bashkia e Durrësit duket se është e zënë me shpërndarjen e ndihmave të mundësuara nga bizneset private, të cilat për hir të së vërtetës shpesh shpërndahen me automjetet e këtyre kompanive.

Vlen të përshëndetet përkujtimi që presidenti Ilir Meta i bëri kësaj date të rëndësishme për historinë e Durrësit dhe Shqipërisë mëngjesin e sotëm duke ngritur lart sakrificën sublime të patriotëve shqiptarë.

“Mirënjohje të përjetshme Heroit tonë të Rezistencës Antifashiste Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotëve të tjerë, të cilët përmbushën me nder betimin e tyre para Flamurit Kombëtar, duke e larë atë edhe me gjakun e tyre të paharruar.”,– shkruante Meta në postimin e tij.

Ndërsa bashkia e Durrësit, ndoshta do të kujtohet 7 prillin e vitit 2021 të përkujtojë rezistencën antifashiste dhe gjakun e heronjve.