Në 24 orët e fundit në vendin kanë rezultuar 8 persona pozitivë me Covid-19, nga 200 të testuar.

Në një deklaratë për mediat, Rovena Daja nga ISHP bëri me dije se shpërndarja gjeografike e rasteve është 5 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Në Durrës, numri i të infektuarve aktivë shkon kështu në 50, të gjitha lidhje me vatrën e nxehtë në qytet, fasonerinë. Të prekurit janë punonjës të fasonerisë dhe familjarë të tyre, por të gjithë në gjendje të qëndrueshme.

Ndërsa në Tiranë, numri i të infektuarve aktivë ka shkuar në 62.

Dr. Rovena Daja tha se situata epidemiologjike e Covid19 në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, aktualisht në shërbimin infektiv janë 16 pacientë të shtruar dhe vetëm 5 prej tyre në terapi intensive.

Fatmirësisht gjatë 3 javëve të fundit nuk kemi asnjë humbje jetë nga Covid-19 dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë 989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

COVID-19 – Statistika (23 Maj 2020)

  • Testime totale – 14459
  • Testime molekulare – 13133
  • Testime serologjike – 1326
  • Raste pozitive – 989
  • Raste të shëruara – 783
  • Raste Aktive – 175
  • Humbje jete – 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

  • Tiranë 62
  • Durrës 50
  • Krujë 27
  • Shkodër 10
  • Berat 10
  • Kamëz 9
  • Fier 4
  • Elbasan 1
  • Mirditë 1
  • Korçë 1