Në një kohë kur Durrësi ka hyrë në ditën e 11-të që nga tërmeti shkatërrimtar i datës 26 nëntor, bilanci i dëmeve në terren sa vjen e rëndohet. Me qindra janë objektet e pabanueshme, nga të cilat qytetarët po heqin gjithçka munden, pasi procesi i riparimit të tyre pritet të zgjasë në kohë.

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, ka dalë edhe mbrëmjen e sotme në një deklaratë për shtyp, ku ka bërë një rezyme të punës së deritanishme në terren për konstatimin e dëmeve.

Por nëse bëjmë një krahasim me të dhënat e servirura nga zv/ministrja mbrëmjen e së enjtes me ato 24 orë më pas konstatojmë se shifrat për Durrësin janë të njëjtat.

“Bashkia Durrës – 1267 Objekte të inspektuara, 406 të pabanueshme, 70 për tu prishur” Këto të dhëna ka servirur zv/ministrja mbrëmë, këto të dhëna servir edhe mbrëmjen e së premtes.

Ose grupet në terren nuk kanë bërë asnjë konstatim në terren gjatë ditës së sotme (gjë që nuk është e vërtetë, pasi DurrësLajm ka ndjekur nga afër të paktën dy prej tyre në dy pallate të ndryshme), ose stafi i shtabit të emergjencës nuk ka bërë përditësimin e nevojshëm (gjë që ka shumë mundësi të ketë ndodhur, pasi nuk është hera e parë që të dhënat e servirura për Durrësin ngatërrohen apo jepen tjetër për tjetër).

Një gjë tjetër që del në pah nga shifrat e dhëna nga zv/ministrja Voda mbrëmjen e sotme është se dëmet në qytetin e Shijakut janë shumë të mëdha.

Bashkia Shijak – 1637 Objekte të inspektuara, 901 të pabanueshme, 325  për t'u prishur;

Këto shifra e bëjnë shumë dramatike situatën në qytetin e Shijakut, ku çdo ditë rritet ndjeshëm numri i banorëve që kanë nevojë për strehim.

Deklarata e plotë e zv/ministres Rovena Voda:

E premte, 6 dhjetor 2019, ora 18:30 pm:

Përshëndetje, vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës, bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA DISPEÇER
Deri në orën 17:00 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 505 (Tiranë – 221; Durrës – 241; Lezhë – 41; Elbasan – 1; Shkodër – 1).

Sërish, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 434 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

Ndërkohë, kërkoj vëmendjen tuaj për një sqarim lidhur me sinjalistikën për shkallët e Vlerësimit të Dëmit në Banesa nga grupet e inspektim-vlerësimit në terren:

NGJYRA E GJELBËR tregon se objekti ka dëmtime të lehta dhe është i banueshëm.

NGJYRA E VERDHË tregon se objekti ka dëmtime mesatare dhe nuk është i banueshëm derisa të riparohet.

NGJYRA E KUQE tregon se objekti është në rrezik dhe se banorët duhet të evakuohen.

Për të gjitha objektet e klasifikuara me ngjyrën e kuqe do të ndërmerret një vlerësim më i specializuar për të përcaktuar nëse këto objekte do të shemben apo riparohen.

PUNA NË TERREN

Bashkia Durrës – 1267 Objekte të inspektuara, 406 të pabanueshme, 70 për tu prishur;

• Bashkia Krujë – 2267 Objekte të inspektuara, 819 të pabanueshme, 22 për t'u prishur;

• Bashkia Shijak – 1637 Objekte të inspektuara, 901 të pabanueshme, 325  për t'u prishur;

Në rang qarku, 5171 objekte të inspektuara.

– Të prishura gjithsej në Qarkun Durrës 33 objekte.

Lista e objekteve të prishura në Durrës, gjithsej 21 objekte:
1 objekt 2 katësh (lagjja Kënetë)
1 objekt 3 katësh (Rr. “Mujo Ulqinaku”)
3 ndërtesa 3-katësh (Lagjja “Kënetë”)
1 objekt 4-katësh (zona e plazhit, pas hotel “Koral”)
1 objekt 4-katës, në zonën e plazhit (Rrota e Kuqe)
1 objekt 4-katësh (Lagjja “Kënetë”)
1 objekt 5-katësh, hotel “Vila Verde” 1 objekt 6-katësh, në qytet Durrës

1 objekt 6-katësh hotel Gostivari, Durrës (me shpërthim të kontrolluar)
1 objekt në Durrës
1 objekt 5-katësh (Lagjja “Kënetë”)
1 objekt 5-katësh, (hotel "Lubjana”)
1 objekt 3-katësh në Shkozet (me shpërthim të kontrolluar)
1 objekt 2-katësh (ka qenë 5-katsh) në Lagjja “Kënetë”
1 objekt 5-katësh në Shkozet, (me shpërthim të kontrolluar)
1 objekt 4-katësh në Shkozet
1 objekt 3-katësh, Lagjja “Kënetë”
1 objekt 4-katësh, Lagjja “Kënetë”
1 objekt 4-katësh në “Ura e Dajlanit”

Lista e objekteve të prishura në Thumanë, gjithsej 10 objekte:
2 objekte 2-katëshe, qendër, Thumanë
7 objekte 5-katëshe, qendër Thumanë
1 objekt 2-katësh shkolla 9-vjecare “Ramazan Jangozi”

Lista e objekteve në fshat Bubq, Bashkia Krujë, gjithsej 2 objekte:
1 objekt 2 katësh, shkolla 9-vjecare;
1 objekt 3 katësh, në fshat Bubq.

AKOMODIMI
Në vijim të takimit të kryeministrit Edi Rama me përfaqësuesit e sipërmarrësve të ndërtimit në Durrës, ku u bë thirrje për investitorët, pallatet e të cilëve kanë pësuar dëmtime, që të marrin përsipër gjithë kontributin e tyre në mënyrë që qytetarëve t'u riparohen banesat dhe të futen sa më shpejt në shtëpi, deri ditën e djeshme janë 14 biznese, firma  private që kanë shprehur gatishmërinë për të filluar me riparimin e godinave që janë ndërtuar prej tyre.

Gjithashtu, po punohet intensivisht për të siguruar që rreth 4000 qytetarët e akomoduar në strukturat hoteliere, t'u garantohen të gjitha shërbimet e nevojshme. Konkretisht, pranë hoteleve jane evidentuar 679 persona nën moshen 18, prej të cilëve 204 fëmije 0-5 vjeç. Gjithashtu janë 454 pensioniste, 620 që vuajnë nga sëmundje kronike dhe 177 persona me aftësi ndryshe.

VULLNETARËT

Vullnetarët e regjistruar deri tani në e-albania kanë dhënë ndihmën e tyre në çdo sektor që ka pasur nevojë.

Në bashkinë Durrës:

– Në qendrën Dispeçer qëndrojnë në dispozicion të telefonatave të qytetarëve vullnetarë që punojnë turni parë 3 veta, turni dytë 3 veta dhe turni tretë 2 veta.
– Në sportelet e hapura në bashkinë Durrës, në pritje të qytetarëve qëndrojnë 12 vullnetarë turni parë dhe 5-6 turni dytë.
– Hedhja e të dhënave që mblidhen nga akt-konstatimet bëhet nga 4 vullnetarë.

Kampi Manzës:

– 10 vullnetarë që shërbejnë në kampin e Manzës me dy turne ( turni parë 5 veta dhe turni dytë 5 veta )
– Sot erdhën 20 vullnetarë nga Belshi, të cilët shpërndanë ndihma në ushqime dhe veshje kryesisht për fëmijë.

Në strukturat hoteliere:

– Vullnetarët ofrojnë mbështetje psiko-sociale dhe argëtim për fëmijët që janë akomoduar në 5 hotele (Kolaveri, Bonita, AS, Pameba, Pishat e Buta)

Duke ju falënderuar edhe njëherë për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju uroj një natë të mirë e të qetë!

Faleminderit!