Pak ditë pas kësaj deklarate të Ministrit të Infrastrukturës, dalin në dritë të tjera të dhëna që zbulojnë se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, e cila përmes dokumenteve të falsifikuara fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro, në harkun kohor të 4 muajve që prej themelimit te saj.

Tenderi i parë lidhet me ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe tjetri për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.

Ky dokument i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativ tregon në mënyrë kronologjike se një prej procedurave bankare në emër të DH është kryer dhe paguar nga kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt

Sipas BIRN, më 3 Dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë “DH Albania” vendosi hapjen e një Nipti Sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Një ditë më pas ai autorizoi juristen e kompanisë “Gener 2”, Ledi Hyseni për të paguar tarifën prej 150 lekësh në një bankë të nivelit të dytë, ndërsa më pas mandatin bankar e  dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dokumenti zbulon se në vend të kompanisë “DH Albania”, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin Shqiponja mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”. BIRN thotë s Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt.

Përveç Dobit dhe Hyseni, veprime në emër të kompanisë “DH Albania” kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi.

Hetimet për skandalin e Kompanisë “DH Albania” janë shtrirë edhe në Shtetet e Bashkuara. Televizioni Klan ka mësuar se grupi hetimor ka nisur drejt SHBA-ve letër-porosi ku kërkon informacione nga autoritetet ligjzbatuese te shtetit të Delawerit mbi mënyrën e regjistrimit të kompanisë mëmë  “Dunwell Haberman” atje. Kjo pas konfirmimit se kompania ka falsifikuar firmën e sekretarit te shtetit te Delawer, për datën e themelimit si dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me bilancet e saj ndër vite dhe gjendjen financiare të saj.

Fillimisht dyshimet e para se “Gener 2” qëndron pas “DH Albania” I hodhi Zëri i Amerikës, dyshime për të cilat tani BIRN thotë se ekzistojnë edhe prova të pakundërshtueshme. BIRN thotë në shkrimin e tij se tani Autoritetet shqiptare s’kanë arsye pse të presin ndihmën nga SHBA për të zbuluar kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi dy tendera përmes falsifikimit, pasi dokumenti i QKB dhe rrethi i njerëzve pas “DH Albania” ekspozojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Ulaj.

Ne Shqipëri prokuroria ka hapur hetimet për falsifikim, mashtrim, abuzim me detyrën e shkelje të barazisë në tendera. Hetimet po kryhen nga Prokurorja e Tiranës Elizabeta Ymeraj, ndërsa kryetari i PD Lulzim Basha i kërkoi kryeprokurores Arta Marku të hetoje kryeministrin Rama për këtë aferë korruptive.