Në kohën e koronavirusit, të bësh biznes është një sipërmarrje e vështirë, pasi problematikat janë të shumta. Me mijëra biznese kanë ulur qepenët prej javësh, në pritje të ndryshimit të masave drastike të qeverisë. Por ka dhe shumë biznese të tjera që vazhdojnë punojnë me këmbëngulje çdo ditë, megjithëse në disa raste puna e do që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zonat më të prekura nga Covid-19 në Italinë e veriut apo vende të tjera evropiane. Një prej tyre është kompania e njohur Dyrrah Sped sh.p.k., që prej thuajse 27 vitesh operon në transportin ndërkombëtar. Administratori i saj, Jonadri Prodani thotë se megjithëse kjo është një situatë e pazakontë, ai së bashku me stafin e tij prej 50 personash kanë vazhduar punën çdo ditë, duke treguar kujdes maksimal dhe respektuar rigorozisht të gjitha masat dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Sipërmarrësi Prodani pranon se si për të ashtu edhe për stafin e tij, problematikat kan qenë të shumta, nisur kjo edhe nga masat drastike të marra jo vetëm nga qeveria Rama, por edhe ato të vendeve evropiane.

“Shoferëve tanë shpeshherë u duhet të udhëtojnë drejt zonave në rrezik, ato në veri të Italisë, ku janë regjistruar mijëra të vdekur. Ka qenë e vështirë për ta dhe për familjet e tyre. Masat mbrojtëse sigurisht që janë marrë dhe respektuar të gjitha. Është bërë një punë e madhe për këshillimin e tyre dhe për zbatimin rigoroz të të gjithë protokollit që duhet të respektojnë sa herë kthehen nga udhëtimi. Fatmirësisht, deri tani, nuk ka asnjë shofer kamioni të prekur nga Covid-19”, – thotë Prodani.

Thuajse çdo ditë, rregullat dhe urdhërat e lëshuara nga strukturat shtetërore për lëvizjen dhe oraret e kufizimit kanë ndryshuar duke u përshtatur me përhapjen e epidemisë së koronavirusit në vendin tonë. Por sipas Prodanit, bashkëpunimi me autoritetet shteterore në portin e Durrësit, si psh APD, doganë, operatorët privatë etj ka qenë mjaft i mire dhe kjo e ka bërë më të lehtë punën e të gjithëve.

“Udhëzimet e dala nga qeveria gjatë këtyre 3 javëve disa herë kanë qenë pak konfuze, linin vend për interpretime të ndryshme por përsa i përket portit të Durrësit ai ka qenë operativ 100% dhe kjo na e ka lehtësuar punën edhe neve”,– thotë Prodani.

Kohërat e vështira që po kalojmë si pasojë e pandemisë së Covid-19, reflektohen jo vetëm tek mënyra e ndryshme e sjelljes së qytetarëve, por edhe bizneseve u duhet të përshtaten për të dalë me sa më pak humbje, kur e gjitha kjo të përfundojë.

“Për fatin e mirë unë jam gjithë kohës në lëvizje me klientë të ndryshëm, partnerë biznesi dhe e shoh që një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë pështatur me kushtet e reja. Ata po ecin përpara. Kjo është rruga e vetme që duhet të ndjekin bizneset, stafi i tyre dhe të gjithë qytetarët. Duhet të përshtatemi me rregullat e reja që na imponon kjo periudhë e vështirë që po kalojmë. Në kushtet e reja është e vështirë të punosh, por jo e pamundur.”,– thotë Prodani.

Rreth një javë më parë, qeveria Rama prezantoi paketën financiare për biznesin e prekur nga situata e krijuar për Covid-19. Për Prodanin, ajo paketë duhet të shoqërohet edhe nga një paketë tjetër ndihmëse, pasi shumë biznese që kanë ulur qepenët kanë nevojë për stimuj materialë, që të mund të rinisin aktivitetin, kur pandemia të mbarojë dhe masat drastike të lehtësohen. 

M.B.