“Sezoni turistik mund të dështojë dhe shumë biznese rrezikojnë falimentimin”. Alarmi këtë herë vjen nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri. Numrat në rritje të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19 në vendin tonë, por edhe në vendet fqinjë po vazhdojnë të dëmtojnë rëndë turizmin. Megjithëse jemi në 10 ditëshin e parë të korrikut, përgjatë ditëve të javës, çadrat dhe shezlonet janë thuajse bosh në plazhin e Durrësit.

Isteri thotë se bizneset turistike po punojnë aktualisht me 20% të kapacitetit, gjë që sjell vështirësi të shumta për ecurinë e mëtejshme të këtyre subjekteve. Ndërkohë, shumë biznese sezonale nuk janë hapur dhe ky fakt nuk bën gjë tjetër veçse thellon krizën dhe rrit papunësinë.

“Nga të dhënat e Dhomës të Tregtisë, por edhe të Qendra Kombëtare e Biznesit, janë rreth 1000 biznese që kanë pezulluar aktivitetin gjatë kësaj periudhe dhe rreth 25 mijë të papunë në qarkun e Durrësit. Shifrat i referohen periudhës së tanishme, pasi në vjeshtë, me përfundimin e sezonit turistik, mund të rritet edhe më shumë numri të të papunëve”,- thotë Isteri për Durrëslajm.

Duke u ndalur tek politikat mbështetëse që qeveria Rama duhet të zbatojë për t’i ardhur në ndihmë biznesit, Isteri thotë se ekzekutivi duhet të përqendrohet në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe të përkrahë hapjen e bizneseve të reja (start up-ve) për të rinjtë apo gratë dhe vajzat. Politikat sociale që ndoqi qeveria me pagën e luftës nuk ishin sipas Isterit zgjidhja optimale në kohën e pandemisë, pasi gjatë atyre muajve, por edhe tani, konsumi dhe xhiroja ditore e bizneseve është ulur ndjeshëm.